Mungesa e ujit, nga problemi në Bovillë; Veliaj: Testime çdo 20 minuta për dhè e baltë

23/11/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se mungesa e ujit të pijshëm në kryeqytet ka ardhur për pasojë të ujit të turbullt në liqenin e Bovillës.

“Ajo që ka ndodhur është prej reshjeve, kemi një turbullim të ujit dhe shumë inerte në Bovillë. Sot, një pjesë e madhe e stafit janë duke ndjekur problemin e filtrave në Bovillë. Filtrat aktualë janë elektronikë, gjë që do të thotë se, në qoftë se nuk precipitojnë dherat, nuk fillon filtrimi i ujit, ndryshe i bie që të heqim filtrin dhe secili prej nesh ta mbushë gotën me dhè e baltë në shtëpi. Kjo është arsyeja përse ne, në çdo 20 minuta po bëjmë një test. Jemi shumë pranë momentit, kur filtrat të mund të fillojnë së punuari normalisht, pasi të kenë rënë mbetjet më të forta dhe më të ngurta”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ndërkohë, problemi më i madh i përmbytjes së Tiranës – sipas tij, – ka të bëjë me ndërtimet pa leje mbi kolektorë.

“Leksioni i parë është që nuk ndërtohet kudo, as te bregu i lumit. Bregu i lumit nuk është një adresë e Bashkisë së Tiranës. Pra, nuk ekziston në librin e adresave tona. Ai është një vend, që tregon se ku jeton lumi, jo ku jeton robi”, theksoi më tej Veliaj.

Top Channel