Lushnje, asgjësohen mbi 12 mijë rrënjë kanabis; 6 në pranga

23/11/2015 00:00

Mbi 6 dynymë sera, të kultivuara me kanabis sativa, janë asgjësuar mbrëmjen e së hënës në fshatin Kadiaj, rreth 5 kilometra nga qyteti i Lushnjes.

Bimët narkotike ishin mbjellë në 4 sera. Aksioni policor ka nisur pasdite vonë dhe në përfundim të tij, të koduar “Kadie”, policia e Lushnjes bëri të ditur edhe detajet, duke njoftuar saktësisht për asgjësimin e 12.470 rrënjëve kanabis sativa, për të cilat u arrestuan 6 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Në prangat e policisë kanë përfunduar nga 3 persona të dy familjeve, konkretisht Ferdinand, Xhuliano dhe Mimoza Kadillari, si dhe Zenel, Hajdar dhe Alban Arapi. Ndërkohë në kërkim është shpallur shtetasi Kristaq Kadillari. Ende vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për t’ia kaluar më pas veprimet e mëtejshme proceduriale Prokurorisë së Lushnjes.

Bimët ishin me lartësi nga 40 deri në 60 cm dhe ishin në prag të vjeljes, ndërsa teknologjia që zbatohej për rritjen e tyre nga kultivuesit ishte e njëjtë me kulturën e domates, pasi ujitja kryhej me pika.

Kjo është hera e parë që kapet një numër i tillë bimësh, pikërisht kur mendohet se sezoni ka mbaruar. Serat, në të cilat kultivoheshin bimët narkotike, ishin fare pranë rrugës dhe në brendësi të fshatit.

Duke qenë se ky fshat ka qenë gjithmonë një “ishull” dhe pa rrugë të asfaltuara, edhe pse fare pranë rrugës nacionale, u ka dhënë mundësinë autorëve që ta kultivojnë pa problem deri sa kanë rënë në prangat e policisë.

Top Channel