Sacchi kundër Interit: Bën lojë antike

23/11/2015 00:00

Inter aplikon një futboll të vjetër që pëlqehet më së shumti vetëm në Itali dhe konsiderohet antik. Kjo është sinteza e mendimeve aspak të vlerësuara kundrejt zikaltërve e një prej ekspertëve më të mëdhenj të futbollit italian si Arrigo Sacchi.

Ish-trajneri i njohur, tashmë në rolin e një opinionisti, ka nënvizuar se pavarësisht fitoreve, më të fundit që erdhi përmes një goleade, ky stil loje nuk vlerësohet jashtë apenineve.

“Inter është dëshmia e qartë e një futbolli antik, por të ridizenjuar nga një person me ide të qarta. Në shumë shtete ky lloj futbolli nuk është aspak i vlerësuar, por në vende si Italia ku më tepër rëndësi se çdo gjë tjetër ka fitorja, kjo është gjithçka”, tha ish-trajneri i Kombëtares italiane dhe Milanit.

Për Sacchin, në shumë vende të globit, futbolli është një spektakël sportiv dhe në kontrast me Italinë, është një festë.

“Këtu spektakli mungon sepse nuk ka estetikë dhe është një sport ku nuk respektohen rregullat, ashtu siç e vërtetojnë shumë skandale të fundit. Aktualisht jemi në moment të mirë pasi kemi trajnerë optimistë dhe krijues”, tha Sacchi.

Top Channel