ISIS, Analistët: Taktika e radhës e Putinit për t’u shpëtuar sanksioneve

23/11/2015 00:00

Pas takimit me kryeministrin britanik, David Cameron, axhenda e Presidentit francez Francois Hollande do të vijojë të jetë e ngjeshur.

Masat kundër terrorizmit dhe angazhimi i përbashkët në këtë luftë do të jenë edhe kryefjala e takimit mes shefit të Elizesë dhe homologut të tij amerikan, ditën e martë. Po ashtu, ky takim do të pasohet dhe me pritjen, që Vladimir Putin do t’i bëjë një ditë më pas Francois Hollande.

Në këtë valë diskutimesh të nxitura nga kërcënimet terroriste, angazhimi i madh i Rusisë në luftën kundër ISIS në Siri, ka rritur në të njëjtën kohë edhe frikën se, pozita e Moskës në fushën diplomatike do të rritet sërish.

Ky shqetësim është më i madh për qeverinë e Ukrainës, gjë që kjo e fundit e ka shprehur hapur kohët e fundit. Sipas zyrtarëve të Kievit, ndihma e Rusisë kundër Shtetit Islamik ka gjasa të rrisë pushtetin e Moskës, e në të njëjtën kohë do t’i hiqte asaj sanksionet e vendosura më herët për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.

Revista “Politico” shkruan se, në prapaskenë po zhvillohet një debat i nivelit të lartë mes zyrtarëve të administratës Obama, për efektivitetin që sanksionet kanë për frenimin e ambicieve të Putinit. Sanksionet nisin që nga kufizimi i udhëtimeve të zyrtarëve rusë, deri te qasja e kompanive ruse në tregjet ndërkombëtare, të gjitha këto masa të vendosura për shkak të aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes së vazhdueshme të rusëve për lëvizjet separatiste në lindje të Ukrainës. Ky konflikt ka lënë të vdekur rreth 8.000 persona, shumica prej të cilëve civilë.

Por një ish-zyrtare e Pentagonit, e cila ka asistuar gjatë në këtë çështje, Evelyn Ferkas u shpreh se situata e Ukrainës është e shkëputur nga Siria dhe sanksionet do të mbeten në fuqi. Analistët i druhen faktin se, cila do të jetë taktika e radhës që Putin do të përdorë për të çliruar Moskën nga sanksionet perëndimore. Megjithatë, publikisht Shtëpia e Bardhë ka një ton të sigurtë, duke këmbëngulur se Putin nuk do t’ia arrijë këtij qëllimi, duke përdorur Sirinë si justifikim.

Sipas analizës te revista “Politico”, Obama i druhet edhe afrimit të Hollande me Putinin, pasi kontaktet e vazhdueshme mes tyre pas sulmeve të Parisit më 13 nëntor kanë ngrysur Uashingtonin.

Simond de Galbert, një diplomat francez tha se, çfarëdo të mendohet për Rusinë, fakti është se ata janë të vetmit, që janë treguar më të gatshmit në këto luftime. Por, dyshimet se Rusia në Siri po lufton më tepër kundërshtarët e Bashar al-Assadit sesa vet ekstremistët po zbehen.

Tani duket se Moska ka më shumë besueshmëri si një aleate kundër ISIS, pasi pësoi edhe vet një sulm terrorist më 31 tetor, kur një avion rus me 224 vetë në bord u rrëzua nga një bombë e vendosur nga një degë e ISIS-it në Egjipt.

Top Channel