Brukseli, në gjendje alarmi deri të mërkurën

23/11/2015 00:00

Deri të mërkurën, kryeqyteti “europian” mban nivelin maksimal të alarmit, që përcakton “kërcënim shumë serioz dhe të pashmangshëm”, ndërsa jashtë Brukselit ruhet niveli i tretë për “kërcënim të mundshëm”.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri belg, Charles Michel u kërkoi qytetarëve të evitojnë daljet dhe veçanërisht grumbullimet.

Të mërkurën pritet të funksionojnë normalisht shkollat dhe metrotë, me një prani të shtuar të forcave të policisë. Ndërkohë,  ministrja belge e Arsimit, Joel Milquet udhëzoi “dhoma sigurie për stafin dhe fëmijët” në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit, në rast sulmi.

Gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet belge kanë ndaluar 21 persona si të dyshuar në lidhje me sulmet e Parisit. Kjo akuzë mban të arrestuar vetëm një person, ndërsa u lanë të lirë 15 të ndaluarit e një nate më parë, ndërkohë që nga 5 të ndaluarit e kësaj të hëne në Bruksel e Charleroi, dy u lanë të lirë dhe 3 të tjerë janë në proces verifikimi.

Mohammed Amri, 27 vjeç, dhe Hamza Attou, 20 vjeç, janë ngarkuar tashmë me akuzën e ndihmës ndaj të dyshuarit të sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam, ndërkohë që sot është ngritur akuzë edhe ndaj një të treti, i cili ende nuk është identifikuar. Në një tjetër zhvillim, policia franceze ka bërë të ditur se është gjetur një send i ngjashëm me një rrip brezi me eksploziv, në periferinë jugore të Parisit, ku më parë ishte gjetur edhe një telefon i përdorur nga i dyshuari në arrati.

I kërkuari kryesor në Belgjikë, Salah Abdeslam nuk figuron mes personave të kapur dhe flitet se ai mund të jetë larguar me makinë drejt Gjermanisë, një ditë më parë.

Policia ka sekuestruar disa mijëra euro nga kontrollet e befasishme, por as armë dhe as eksploziv, ndërsa “lënda kimike” e kapur të shtunën rezultoi nga analizat në laborator se ishte dhallë.

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në Bruksel, prej së shtunës mbahen mbyllur metrotë dhe një pjesë e trameve me kalim nëntokë, sikundër dhe muzeumet, teatrot, kinematë, qendrat sportive e kulturore dhe çdo atraksion turistik, përfshirë Atomin, simbolin e Brukselit.

“Maniken Piss, një ndër monumentet më të rëndësishme të qytetit, nuk sheh më mijëra vizitorë si përditë dhe ruhet nga ushtria e policia. Ai pritet të veshë kostumin kombëtar shqiptar pas disa ditësh, me rastin e festave të 28-29 Nëntorit. Situatë jo normale dhe për sheshin kryesor të Brukselit, Grand Place. Ka një prani më të gjallë të policisë dhe ushtrisë pranë qendrës së qytetit prej së shtunës, ndërsa vijon mbikëqyrja në lagjen Molenbeek, që pas akteve terroriste në Paris. Atmosfera e trishtë sundon edhe në sheshet e tjera të qytetit, ku janë ngritur tregjet karakteristike të Krishtlindjes”.

TCH: Pse nuk i ftoni policët për të ngrënë?

Mounir Ait Nasser: Jo, boll i kemi ftuar këta. Kemi parë ditë si këto që prej krizës financiare ndërkombëtare, ku ne dalim të punojmë dhe nuk ka shumë klientë që vijnë. Këto ditë është rritur frika për shkak të asaj çfarë po ndodh, ndërsa ne jemi këtu për t’u treguar të gjithëve se jeta duhet jetuar gjithsesi.

Edhe pse autoritetet belge kanë informuar ngjashëm të gjitha selitë e institucioneve ndërkombëtare në Bruksel, këshillat e tyre nuk janë ndjekur njësoj. NATO dhe Këshilli i BE-së ruan nivelin “portokalli”, duke mos rrezikuar jetën e funksionarëve të ndryshëm të shteteve anëtare, ndërsa Komisioni Europian zbaton një nivel më të ulët sigurie dhe shprehet fleksibël vetëm për nëpunësit familjarë, meqenëse shkollat janë të mbyllura deri të martën.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel