Rrëfimi i Blatter: Isha shumë pranë vdekjes

23/11/2015 00:00

Sepp Blatter ishte shumë pranë vdekjes kur u shtrua në spital gjatë këtij muaji për shkak të depresionit nervor. Është vetë 79-vjeçari që e ka deklaruar këtë në një intervistë për televizionin zviceran “RTS” duke theksuar se gjatë javëve të fundit ai e pa veten mes “engjëjve” dhe “djallit”.

“Isha shumë pranë vdekjes, isha mes engjëjve dhe djallit, por në fund ishte kënga e engjëjve që u dëgjua më shumë”, tha Blatter, që është i pezulluar nga posti i tij si president i  FIFA-s.

“Presioni ishte shumë i madh. Nëse je i fortë në aspektin psikologjik mund të mbijetosh, por në momente të caktuara trupi të thotë “jo” dhe në rastin tim, trupi reagoi shumë keq”, vazhdoi zvicerani.

Blatter foli edhe për Michael Platini, me presidentin e UEFA që është i pezulluar për 90 ditë, ashtu sikurse edhe zvicerani.

Sipas Blatter, Platini është një personalitet i ndershëm dhe se është në gjendje që ta zëvendësojë atë si kreun i FIFA-s edhe pse kandidatura e tij për zgjedhjet e 26 shkurtit është e pezulluar deri në përfundim të hetimeve.

Platini hetohet për marrjen e 1.8 milionë eurove nga ana e Blatter në vitin 2011 dhe tashmë si ai ashtu edhe Blatter rrezikojnë të ndëshkohen me një pezullim disavjeçar.

Top Channel