QSUT pa ujë, anulohen të gjitha operacionet

24/11/2015 00:00

E gjithë Tirana ka pasur mungesë uji ditën e hënë. Por, ajo që është më shqetësuese është fakti që Urgjenca e QSUT, e cila pret me qindra pacientë çdo orë, ka mungesë uji. E njëjta situatë është edhe në Urgjencën e Pediatrisë, po në QSUT.

Edhe pse sipas Ministrisë së Shëndetësisë, QSUT është furnizuar 21 herë me bote me ujë nga UKT, duket se kjo gjë nuk ka mjaftuar.

Nga pamjet e filmuara me kamera amatore nga Top Channel duket qartë mungesa e ujit në Urgjencën e Pediatrisë dhe në atë të sëmundjeve të brendshme.

Veç dy urgjencave, situata e rënduar ka qenë edhe në të gjithë pavionet e tjera të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku gjatë pasdites në Spitalin e Neurologjisë, të afërmit e pacientëve janë nxjerrë jashtë për shkak të mungesës së ujit.

Gjatë mbrëmjes, Ministria e Shëndetësisë, me anë të një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur situatën në spitalet e Tiranës, duke konfirmuar se për shkak të mungesës së ujit, urgjencat kirurgjikale që do të paraqiten pranë QSUT-së do të transferohen në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, i cili nuk ka pasur gjatë ditës ndërprerje të ujit.

Më tej, ministria njofton se gjatë ditës, veç QSUT-së, botet me ujë kanë furnizuar edhe Spitalin e Traumës dhe Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Ndërsa Materniteti “Koço Gliozheni”, sipas ministrisë, vijon aktivitetin normalisht dhe nuk ka pasur probleme në furnizimin me ujë.

Top Channel