UKT: Rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm në të gjithë rrjetin e shpërndarjes

24/11/2015 00:00

Prej ditës së diel, gati gjysma e kryeqytetit nuk u furnizua me ujë të pijshëm, ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës UKT lëshoi një njoftim ku bënte të ditur se është rikthyer furnizimi me ujë të pijshëm në të gjithë rrjetin e shpërndarjes.

“Nga ora 22:00 situata në impiantin e Bovillës është rikthyer në parametra normalë. Stafi ka punuar gjatë gjithë ditës për pastrimin e Liqenit të Bovillës nga llumi e inertet”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga UKT.

Uji që vinte nga liqeni i Bovillës ishte me turbullira të mëdha, çka ka bërë që impanti i filtrimit të ujit të mos vihej në punë.

“Dje patëm reshje intensive që shpëlanë pellgun ujëmbledhës dhe bënë që liqeni të turbullohej deri në sipërfaqe. Uji vinte në formë llumi të zi. Kohëzgjatja e tyre deri në 17 orë bëri që impianti teknikisht të mos realizonte trajtimin e ujit. Por ne do vëmë në ujë impiantin dhe do garantojmë që uji që do të prodhohet të plotësojë standardet e nevojshme”, deklaroi më herët gjatë së hënës një punonjës i impiantit.

Top Channel