Francë, gjendet një brez me eksploziv në periferi të Parisit

24/11/2015 08:50

Policia franceze po ekzaminon një brez të mbushur me eksploziv të gjetur në një rrugë periferike të Parisit, 11 ditë pas sulmeve që vranë 130 persona.

Thuhet se brezi është i ngjashëm me ata të përdorur nga kamikazët dhe është i gjetur në një periferi ku dyshohet të kenë kaluar atentatorët pas sulmeve.

Objekti ishte hedhur në një kosh mbeturinash dhe u zbulua nga pastruesit e rrugës në lagjen Montruzh, bëri të ditur policia pariziene.

Sipas burimeve, të cituara nga agjencia e lajmeve “AFP”, objekti nuk ishte i pajisur me detonator. Gjithësesi, ai konsiderohet si një provë kyçe që lidhet me të dyshuarin kryesor të sulmeve Salah Abdeslam.

Vëllai i tij, Brahim, u vetëhodh në erë gjatë sulmeve.

Më herët, një celular u gjet në një automjet të braktisur të cilën rezultoi se ai e kishte marrë me qera. Të dhënat e regjistruara tregojnë se natën e sulmeve Abdeslam ndodhej në zonën ku u gjet brezi me eksploziv.

Policia franceze ka dy skenare: i pari, që Abdeslam kishte në plan të shpërthente brezin por hoqi dorë për shkak të keqfunksionimit të tij; ose sepse ashtu sugjeroi vëllai i tij Mohamed, që thuhet se në momentin e fundit ndërroi mendje.

Për kapjen e Saleh po vijon ndërkohë gjuetia e shtrirë në Francë dhe Belgjikë, ku thuhet se është parë së fundmi.

Top Channel