Avionët turq rrëzojnë një avion rus në kufi me Sirinë

24/11/2015 09:55

Ushtria turke raporti rrëzimin e një avioni luftarak rus në kufirin me Sirinë, me pretendimin se shkeli hapësirën ajrore të vendit dhe injoroi paralajmërimet e përsëritura për t’u larguar.

Ministria e Brendshme në Moskë, nga ana tjetër, pohoi se një avion i saj Su-24 ka rënë vërtet, por shtoi se incidenti ka ndodhur në territorin sirian dhe se mjeti është qëlluar nga toka. Në sqarimet e tyre, zyrtarët rusë treguan se dy pilotët kanë arritur të hidhen me parashuta, megjithatë nuk dihet se ku ndodhen aktualisht.

Disa media të huaja thonë se njëri prej tyre është në duart e rebelëve sirianë, çka nuk është konfirmuar ende zyrtarisht. Por një video e siguruar nga agjensia e lajmeve Reuters tregon atë që besohet të jetë njëri prej pilotëve rusë, i cili dergjet në tokë i palëvizur, ndërsa një eksponent i rëndësishëm i një grupi kryengritësisht sirianë pretendon se personi që shihet në pamjet filmike është i vdekur.

Videoja është filmuar nga rebelët që veprojnë në veriperëndim të Sirisë, territor ky ku janë aktivë një sërë grupimesh kundërshtare të regjimit, siç është Ushtria e Lirë Siriane, por ku nuk ka prani të Shtetit Islamik. Aty dëgjohen zëra të thonë: “Ky është piloti rus, brigada e dhjetë kapi pilotin rus, Zoti është i madh”. 

Personi që foli për Reuters nuk tha megjithatë asnjë fjalë për pilotin e dytë. Ankaraja këmbëngul se ishin F 16-tat turq ata që rrëzuan avionin pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme se po shkelte hapësirën ajrore turke. Sipas BBC-së, avioni i mbështjellë nga flakët ka rënë në malet e provincës së Latakiasë. Turqit thonë se në video shihen momentet e rënies së SU-24-tës në rajonin kufitar sirian Bajirbucak, i ndodhur përballë Hatajit të Turqisë.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, u informua menjëherë për ngjarjen nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, ndërsa kreu i ekzekutivit Ahmet Davutoglu i kërkoi Ministrisë së Jashtme që në lidhje me këtë çështje të bëjë ndërhyrjet e duhura në NATO dhe OKB. Turqia është ankuar në dy raste për shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga avionët rusë. Moska e nisi në shtator fushatën e saj të bombardimeve në Siri dhe një muaj më vonë arriti një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për ruajtjen e distancës dhe shmangien e përplasjeve në qiellin sirian.

Por ky i sotmi ishte pikërisht lloji i incidentit të cilit shumëkush i druhej që prej fillimit të operacioneve ajrore ruse në atë vend. Rreziku i fluturimeve aq pranë kufirit turk ishte shumë i qartë për të gjithë. Avionët e Ankarasë kanë rrëzuar deri tani të paktën një avion ushtarak të Damaskut, e sipas gjasave, edhe një helikopter. E ndërsa Moska këmbëngul se avioni i saj nuk e shkeli hapësirën ajrore turke, shumë pyetje po ngrihen mbi ngjarjen, përfshirë saktësinë e sistemit të navigimit të pilotit rus dhe gadishmërinë e madhe të turqve për të hapur zjarr.

Top Channel