Gjyqi ndaj imamëve, të pandehurit: S’dimë gjë për rekrutime në Siri

24/11/2015 00:00

Policia në Tiranë ka vijuar kontrollet me agjentë civilë në kuadër të masave të sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku zhvillohet procesi gjyqësor ndaj 9 të pandehurve nën akuzë për rekrutimin të xhihadistëve për në Siri e Irak.

I pandehuri Fadil Myslimani deklaroi se nuk ka dërguar askënd në Siri, por shtoi se, “edhe sikur ta kisha bërë, do kisha bërë gjënë e duhur”.

“Sepse do prishja planin djallëzor të Francës dhe Amerikës për pushtimin e Lindjes së Mesme”, tha Myslimani.

Megjithëse disa herë u paralajmërua nga gjyqtarja që t’i përmbahej gjykimit, 51-vjeçari nga Elbasani u shfaq i indinjuar, pasi sipas tij, kur vriten myslimanë ata regjistrohen si statistika, ndërsa kur vriten “qafirë”, konsiderohen tragjedi e masakra.

“Allahu regjistron çdo gjë. Regjistron edhe kur Franca e Amerika bëjnë plan që të godasin në Siri”, tha i pandehuri.

“Po të përsëris që gjyqi regjistrohet në formë audio dhe s’mund të flasësh pa leje”, reagoi ndaj tij gjyqtarja.

Por i pandehuri nuk la pa përmendur edhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, duke pyetur: përse trembet tani Saimri Tahiri? “Nëse nuk u ka bërë gjë myslimanëve nuk ka pse trembet. Nëse ka bërë, ku do shkojë tani?”, tha ai.

Procesi ndaj të akuzuarve është në fazën e marrjes së provave shkresore të prokurorisë. Të pandehurit kërkuan që prokuroria të mos sjellë në gjykatë vetëm fragmentet që i interesojnë nga përgjimet e tyre telefonike, por t’i sjellë në bllok për t’i gjykuar ato në tërësi dhe jo të shkëputura. 

Top Channel