Rrëzohet kërkesa e PD për hetim ndërkombëtar të CEZ, LSI abstenon

24/11/2015 00:00

Socialistët rrëzuan në komisionin e ligjeve, draftin e demokratëve për hetimin ndërkombëtar të CEZ.

Ndërsa nuk pritej asnjë suprizë nga qëndrimet e socialistëve dhe demokratëve, vëmendjen e morri LSI, që edhe këtë herë abstenoi, përkundër qëndrimit të menjëhershëm se mbështeste hetimin ndërkombëtar të CEZ dhe DIA-s.

I vetmi përfaqësues i LSI në votim, Petrit Vasili nuk bëri asnjë deklaratë për qëndrimin e forcës së tij politike, ndërsa socialistët dhe demokratët u përballen në një argument: e ndalon Kushtetuta shqiptare hetimin ndërkombëtar?

“Asnjë autoritet i huaj gjyqësor nuk mund të zëvendësojë ato shqiptare. Cënohen tre parime kushtetuese, së pari parimi i sovranitetit, i territorialitetit dhe kompetencës”, tha Ulsi Manja

“Ju po flisni me tone patriotike zoti Manja. Kini parasysh dhe atë shprehjen që patriotizmi është streha e fundit e të gjithë maskarenjve. Kushtetuta në asnjë rast nuk mund të jetë streha e kriminelëve dhe të korruptuarve. Ajo që ne po kërkojmë është që shqiptarët ta besojnë që kur kryetari i Kuvendit do të dalë i pafajshëm është vërtetë i pafajshëm. Po nëse nuk është mos ta mbrojë posti, por të shkojë pas hekurave”, tha Oerd Bylykbashi

Prokuroria shqiptare ishte gjithashtu kundër krijimit të mekanizmave ligjor për hetimin ndërkombëtar, me argumentin se është i vetmi institucion që ka juridiksion të përfaqësojë akuzën në gjykatat shqiptare.

“Nëse sot vendosni të hidhni poshtë hetimin ndërkombëtar për CEZ, unë besoj se keni marrë përsipër fajësinë para shqiptarëve, si maxhorancë, të gjithë bashkë. Ajo që ne ofrojmë është që ata që kanë lyer gishtin në këtë punë, dhe kanë marrë paratë e shqiptarëve të kenë një proces të drejtë”, tha Gent Strazimiri, deputet i PD-së.

“Ne nuk mund të miratojmë një ligj që bie në kundërshtim me kushtetutën dhe kodin e procedurës penale. A ka prokurorë të korruptuar? Po ka. A ka gjyqtarë të korruptuar? Po ka. Çështja shtrohet se ne nuk paskemi besim te prokuroria dhe për vete duhet të ndërtojmë disa prokurorë, një trup speciale. Për ata njerëz që hetohen e gjykohen ditë për ditë duhet të lëmë këta prokurorë sipas jush”, tha kreu i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Top Channel