Integrimi, Gjosha: Jetik bashkëpunimi institucione-shoqëri civile

24/11/2015 11:30

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka zhvilluar paraditen e së martës një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, për përfshirjen e kësaj kategorie në procesin e integrimit.

Në fjalën e saj në këtë takim, Gjosha e ka vënë fillimisht theksin tek progres-raporti i Komisionit Evropian, që sipas saj vlerëson arritjet me reformat dhe progresin në implementimin e 5 prioriteteve kyçe.

Sa për marrëdhëniet mes institucioneve dhe shoqërisë civile, ministrja ka nënvizuar se ato kanë një tjetër rëndësi, ndaj dhe duhet të avancohen.

“Në këto vite marrëdhënia mes institucioneve dhe shoqërisë civile nuk ka qenë aty ku duhet. Shumë shpejt do të krijohet Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile dhe shpresoj që përmes këtij mekanizmi raporti mes institucioneve dhe shoqërisë civile të lehtësohet. Shpresoj që ky organizëm t’i japë zgjidhje kësaj problematike”, ka thënë Gjosha.

Duke iu rikthyer progres-raportit, Gjosha ka nënvizuar se, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit në procesin e integrimit, Shqipëria ndodhet në një pozicion të mirë, ndërsa ka shtuar se, “reforma në drejtësi duhet të kryhet sa më parë”.

Top Channel