Kosovë, Kadri Veseli pret Pandeli Majkon

24/11/2015 12:30

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, gjatë një vizite në Prishtinë, u ka bërë thirrje subjekteve politike të Kosovës për bashkëpunim dhe dialog, që të gjendet një zgjidhje për daljen nga kriza politike.

Duke treguar emocionin e veçantë të tij për vizitën në Prishtinë, Pandeli Majko bëri thirrje që 28 Nëntori të mos shfrytëzohet për ndarje, por për bashkëpunim.

Majko këtë ftesë për opozitarët e ka bërë pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilët së bashku përçuan mesazhin e negociatave mes pozitës dhe opozitës.

“Me një emocion të veçantë vij me atë që e konsideroj si shtëpinë time të dytë, Prishtinën, Kosovën, por edhe me një shqetësim për situatën e krizës politike në Prishtinë, e cila shpesh edhe eksportohet si kulturë nga Tirana zyrtare, por unë jam i bindur, aq më shumë që jemi në prag të festave kombëtare, sidomos të festës së flamurit, 28 Nëntorit, e kemi një varg shumë të bukur tek himni kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar” dhe mendoj që 28 Nëntori nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim, nxit negociatë sepse shqiptarët kanë ditur që në momentet më të vështira për vendin të falin gjakun e lë më debatet apo inatet politike për natyra të ndryshme”, u shpreh Majko.

Ndërsa Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha: “Në mënyrën numerike unë jam shumë i sigurt që do të arrijmë qind për qind atë që është në axhendë. Aktualisht, në Kuvendin tonë janë edhe 35 pika, të cilat do të trajtohen vetëm në seancën e radhës. Por, ajo që është me rëndësi, jemi me një mesazh para festës, të komunikojmë bashkërisht, të jemi afër njëri-tjetrit që brenda institucioneve dhe Kuvendit t’i trajtojmë të gjitha çështjet që kanë dimensionin e shqetësimit qytetar”.

Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko është shprehur optimist që liderët politikë në Kosovë do të gjejnë një gjuhë të përbashkët, siç tha ai, për t’i dhënë Kosovës atë që meriton.

Përveç kësaj, Majko tha se në kohën kur partitë politike të Kosovës dhe Shqipërisë grinden me njëri-tjetrin, ka disa detaje tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe shqetësuese, e që sipas tij, janë bllokimi i abetares dhe librave shqiptarë në kufirin Kosovë-Serbi.
Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli që nga sot u ka uruar të gjithë shqiptarëve festën e Flamurit.

Top Channel