Hollande në SHBA, takim me Obamën për luftën kundrër terrorizmit

24/11/2015 12:55

Presidenti i Francës, Francois Hollande takohet sot me presidentin amerikan Barack Obama në Uashington, në vazhdën e një turi shumëvendesh që synon bashkërendimin e veprime kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe përpjekjet për nje zgjidhje politike të luftës civile në Siri.

Shtëpia e Bardhë sqaroi se dy liderët do të fokusohen tek forcimi i bashkëpunimit në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili ndërmerr prej më shumë se një viti tashmë sulme ajrore ndaj pozicioneve të ISIS-it në Irak e Siri.

Para largimit nga Franca për takimin me Obaman, Hollande zhvilloi bisedime edhe me  kryeministrin britanik David Cameron, i cili premtoi zgjerimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit.

Por ndonëse rrugëtimi i kreut të shtetit francez duket i mirëstrukturuar rreth synimit të qartë që të grumbullojë mbështetje pas atentateve të 13 nëntorit, Obama, sipas disa raporteve në mediat lokale, nuk do ta kufizojë axhendën e tij vetëm tek demonstrimi i solidaritetit kundër ekstremizmit.

Zyrtarë pranë presidentit citohen të thonë privatisht se në Uashington, gatishmeria e liderëve kyç europianë për zgjatjen e saksnioneve ndaj Moskës, që përfundojnë në muajin janar, vihet në pikëpyetje.

Shqetësim ngjall po kështu çdo përpjekje e mundshme e presidentit Putin, që do të takohet me Hollande në Moskë më vonë gjatë javës, për t’i lidhur ngjarjet e Sirisë me Ukrainën.

Amerikanët, me sa duket, druhen se shefi i Kremlinit do të tentojë ofrimin e një qëndrimi më agresiv rus ndaj Shtetit Islamik vetëm në këmbim të mbështetjes së Francës për tkurrjen apo edhe rrëzimin e plotë të sanksioneve.

“Heqja e parakohshme e sanksioneve në Europë përbën shqetësim për ne”, pohon Evelyn Farkas, zyrtarja më e lartë në Pentagon për çështjet e Rusisë dhe Ukraines.

“Europianët nuk mund të tërhiqen tani. Situata e Ukrainës është krejtësisht e ndryshme nga ajo e Sirisë”, shton Farkas, duke i bërë jehonë kështu drojës së vetë Kievit zyrtar.

Ky i fundit këmbëngul të tregojë se pas sulmeve të Parisit, Putin mund të përpiqet të fitojë pëlqimin e Perëndimit, duke mësyrë shënjestrat e ISIS në Siri, ndërsa lufta e Ukrainës për mbrojtjen e kufijve të saj do të harrohet.

Top Channel