Rama në Kinë: Të rrisim bashkëpunimin ekonomik

24/11/2015 14:15

“Pikënisje e re, sfera të reja, vizion i ri”. Nën këtë moto është duke u zhvilluar në Kinë samiti 2-ditor Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore. Ky është samiti i katërt që zhvillohet mes kryetarëve të qeverive të 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe kryeministrit kinez, Li Keqiang.

Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se takimi i këtij viti konfirmon më së miri vullnetin politik dhe angazhimin e 17 vendeve pjesëmarrëse për të rritur nivelin e bashkëpunimit.

“Duhet të identifikohen perspektiva sinergjike dhe masa të reja ndërmjet “16+1” dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe BE-së, midis nismës “Belt and Road” dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të përkufizuar më mirë marrëveshjen tripalëshe midis Kinës, Europës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Në këndvështrimit tonë, qëllimi i kësaj nisme është bashkëpunimi ekonomik dhe vazhdimësia e dialogut politik. Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë, në vitin e tyre të 66 janë shumë pozitive për momentin dhe jam i kënaqur të nënvizoj që po forcohen në drejtime të tjera. Nisma “16+1” dhe projektet “Belt and Road” janë dy platforma të tjera që forcojnë marrëdhëniet tona”, deklaroi Rama.

Rama u ndal edhe në projektet konkrete ku përfshihet edhe qyteti i Durrësit. “Lidhja e qytetit Shantou, ku nis Rruga e Mëndafshit në Kinë, me qytetin e Durrësit, qyteti ynë i dytë më i madh do të shtrojë rrugën për zhvillimin e portit të Durrësit. Shqipëria po punon që t’i japë hov turizmit, i cili është një sektor prioritar kombëtar dhe një mjet për të promovuar rritje dhe zhvillim gjithëpërfshirës”, nënvizoi Rama.

Aksionet e ndërmarra dhe të planifikuara në këtë samit, tha Rama, inkurajojnë një bashkëpunim më të ngushtë dhe e bëjnë më të lehtë për ne për të punuar së bashku në të mirë të komuniteteve tona.

Top Channel