F1, Massa kërkon rinovimin me Williams deri në vitin 2017

24/11/2015 14:20

Felipe Massa kërkon të qëndrojë në Botërorin e Formulës 1 me Williams edhe pas vitit 2016. Pilotit brazilian i skadon kontrata me skuadrën britanike në fund të vitit të ardhshëm dhe tani ai shpreson në rinovimin e saj. Massa deklaroi se qëndrimi te Williams edhe për Botërorin e vitit 2017 është një mundësi e shkëlqyer për të, edhe pse ai e di shumë mirë se nuk e ka të garantuar zgjatjen e bashkëpunimit.

“Jam shumë i kënaqur që po punoj me këtë skuadër fantastike dhe mendoj se edhe drejtuesit e saj janë të kënaqur për bashkëpunimin me mua, por ne duhet të presim vitin tjetër për të parë sesi do të shkojnë gjërat, ku vendimi im është hapi i radhës që do të ndërmerret. Nuk e di nëse do të qëndroj te Williams apo do të shkoj diku tjetër. Por unë jam i sigurt se dëshira ime është që të qëndroj këtu”, tha Massa.

Piloti brazilian theksoi gjithashtu se një prej arsyet që ai dëshiron të jetë pjesë e Williams edhe për vitin 2017 është ndryshimi i rregullores për atë vit.

“Nëse një skuadër investon ose bën një punë më të mirë se të tjerët, atëherë ajo do të jetë më e shpejtë, por gjërat mund të ndryshojnë në mënyrë të tillë që mund të rrisin rivalitetin mes tyre në pistë. Sigurisht për këtë duhen ndryshime të mëdha edhe te motorët, për t’i bërë gjërat më të lehta për të gjithë”, shtoi Massa.

Top Channel