Champions League, aktiviteti që pasuron klubet

24/11/2015 14:35

Champions League është ajo që u jep më shumë të ardhura klubeve evropiane. Këtë e tregon fare mirë një studim i kryer nga e përditshmja “La Gazzetta dello Sport” që është përqedruar më shumë te skuadrat italiane: Juventus dhe Roma. Sipas këtij studimi, pas 4 ndeshjeve të para, Juventus ka përfituar 55 milionë euro, ndërsa Roma 48.9 milionë.

Sezonin e kaluar, “Zonja e Vjetër” arriti të arkëtojë plot 89.1 milionë euro falë arritjes në fazën finale të këtij aktiviteti, ndërsa Roma, që u eliminua në grupe, siguroi 45.9 milionë euro.

Pjesën më të madhe të këtyre të ardhurave të skuadrave padyshim e zënë kontratat për të drejtat televizive me UEFA-n, të cilat janë në rritje progresive vit pas viti. Kjo shifër më pas ndahet, 10% shkon për ekipet që eliminohen në fazën e “playoff”-it, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet duke u bazuar në renditjen e ekipeve në përfundim të kampionatit të kaluar si dhe te ndeshjet që zhvillohen në sezonin pasardhës.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, duke bërë llogaritë, klubet italiane mund të kapin shifrën e 100 milionë eurove në rast se ato shkojnë përtej fazës së grupeve. Në rast të fitores së trofeut, Juventus përfiton 108.1 milionë euro, ndërsa Roma 102 milionë euro.

Top Channel