Stabilizohet uji i pijshëm në Tiranë, por ende me probleme

24/11/2015 00:00

Ekspertët e ujësjellësit të kryeqytetit deklaruan se furnizimi me ujë të pijshëm është stabilizuar. Impianti i Bovillës është vënë në punë, por sërish do të ketë probleme.

“Impianti i Bovillës punon sot me kapacitetin maksimal të tij. Duhet të kuptojmë që këto janë metër kub të humbura. Atëherë duhet të vijë edhe një ditë pas vendosjes në punë me kapacitet të impiantit Bovillë që Tiranë të mos ndjejë më mungesën e ujit në asnjë pjesë të saj që furnizohet nga impianti i Bovillës”, thotë Artan Emiri,përgjegjës i Impiantit Bovillë.

Reshjet e dendura të shiut ditën e dielë, bënë që në ujëmbledhës të derdheshin sasi të mëdha uji dhe balte, duke shkaktuar turbullira të ujit, përkeqësuan gjendjen në ujëmbledhës, ccka bëri që uji, i cili vinte në impiant të ishte në formë llumi.

“Është një turbullirë në nivele të larta që nuk ka ndodhur për 15 vjet sipas statistikave të ujësjellësit dhe kjo bëri që ne ta ndjejmë. Herë tjetër është ndërprerë uji nga 3-4 orë, po qytetarët e Tiranës ndoshta nuk e kanë ndjerë”, thotë Etleva Budini, zv.drejtoreshë e përgjithshme.

Drejtuesit e bashkise se Tiranës paralajmërojnë për një tjetër ditë të keqe. Nënkryetari Arbër Mazniku tha se reshjet që priten të mërkurën mund të përsërisin situatën e ditës së dieleë, duke përsëritur bllokimin e rrugëve por edhe problemet me ujësjellësin.

“Gjatë ditës së nesërme pritet të ketë probleme me ujin dhe me disa rrugë të caktuara. Jemi duke marrë masa emergjente dhe kemi të gjithë skuadrat në rrugë sot, në mënyrë që gjithë ato pikat që ne e dimë që janë problematike, të hapim maksimumin e mundshëm për ti pastruar ato, në mënyrë që të kemi më pak probleme se sa patëm dy ditë më parë”, tha Arbjan Mazniku, nënkryetar i bashkisë së Tiranës.

Bashkia po punon në pikat me delikate për pastrimin dhe rehabilitimin e sistemit kullues, por kjo është e pamjaftueshme për të përballuar reshje të dendura si ato të ditës së dielë.

Top Channel