Rikthehet moti i keq, reshjet nisin natën e të martës

24/11/2015 00:00

Pas reshjeve të dendura të së dielës, meteorologët, parashikojnë kushte të rënduara të motit edhe gjatë ditëve në vazhdim.

Gjatë 3 ditëve të ardhshme pritet që në vendin tonë të ketë reshje me intensitet të lartë sidomos në Shqipërinë e mesme dhe perëndimore, ku e mërkura dhe e premtja parashikohen të kenë intesitetin më të lartë.

Edhe gjatë fundjavës, thuajse i gjithë vendi do të jetë i nënshtruar nga reshjet e shiut, të cilat sipas parashikimeve do të jenë në nivel më të ulët, ndërsa në zonat malore do të nisë dëbora e parë.

“Pas kësaj pauze që përjetuam sot, sërish sot në mbrëmje parashikohet të aktivizohet një qendër e presionit të ulët, e cila është pozicionuar në detin Mesdhe. Gradualisht gjatë mbrëmjes do të afrohet drejt vendit tonë dhe do të sjellë vranësira dhe rreshje shiu. Ditën e mërkurë do të ketë reshje të cilat do të riaktivizohen në të gjithë territorin dhe reshjet do të jenë me intensitet të lartë kryesisht në jug të territorit, në jugperëndim dhe në veriperëndim. Pothuajse gjithë dita e mërkurë do të jetë me reshje të dendura. Dita e enjte parashikohet të ketë një përmirësim të përkohshëm, pra reshje me intensitet më të ulët. Dita e premte pritet të riaktivizohen reshjte e shiut në të gjithë territorin. E shtuna dhe e diela reshjet do të pakësohen, por në zonat malore do të ketë dhe reshjet e para të dëborës”, thotë Rezarta Xhakollari.

Dita e dielë shënoi ditën e parë me reshje të vjeshtës, e cila shkaktoi dëme serioze në shumë sektorë.

Top Channel