Shefi i Gardës Kombëtare të SHBA-ve: Kosova, jo shënjestër e ISIS-it

24/11/2015 00:00

Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerali Frank J. Grass ka deklaruar të martën në Prishtinë se, Kosova nuk është objektiv i ISIS-it, por – sipas tij, – duhet shtim i vigjilencës, pasi askush nuk është imun ndaj rreziqeve.

“ISIS dhe çdo lloj organizate ekstremistësh përbëjnë rrezik për të gjithë ne. Mendoj se, ka shumë pak vende në botë, të cilat nuk janë të rrezikuara nga kjo ideologji dhe kjo lëvizje ekstremiste. Në Shtetet e Bashkuara, ata nuk i konsiderojmë rrezik strategjik për mbijetesën tonë. Ne i konsiderojmë si një rrezik të sigurisë në gjithë botën, jo në kuptimin e Luftës së Tretë Botërore” tha Grass, gjatë një ligjërate në Prishtinë.

Ai foli edhe për fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se Garda Kombëtare amerikane ka punuar ngushtësisht për këtë gjë. Grass shtoi se SHBA-të janë të gatshme të mbështesin ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Sa i përket Forcave të Armatosura të Kosovës, mendoj se ky është një debat, që është duke u krijuar edhe në Kuvend. Ne jemi të gatshëm të mbështesim gjithçka që vendos Parlamenti. Nëse do bëni ndonjë ndryshim kushtetues, e di që gjeneral Ora është i gatshëm ta mbështesë atë, si pjesë e partneritetit shtetëror, siç kemi bërë edhe në të kaluarën”, ka thënë Grass.

Gjenerali amerikan foli në Prishtinë edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke thënë se, ai do të jetë në mbështetje për këtë çështje, por se Kosova dhe të gjitha shtetet e tjera – sipas tij, – duhet të bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n, pa marrë parasysh a janë të anëtarësuara apo jo.

Top Channel