Apeli lë në paraburgim deputeten Donika Kadaj-Bujupi

24/11/2015 00:00

Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës, i përbërë prej tre gjyqtarësh, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurës Donika Kadaj-Bujupi.

Gjykata njofton se, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

E pandehura dyshohet nga ana e Prokurorisë, të ketë kryer veprën penale të “përdorimit të armëve apo mjeteve të rrezikshme”, parashikuar nga neni 375, lidhur me nenin 31 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore janë të pabazuara, pasi prej shkresave të lëndës, respektivisht prej provave të mbledhura deri më tani, rezulton dyshimi i bazuar se, e pandehura ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe, nëse do të argumentohen këto fakte, është çështje që do të vërtetohet gjatë fazave të mëtejshme procedurale, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Kjo gjykatë vlerëson gjithashtu si të pabazuara, edhe pretendimet e mbrojtjes se e pandehura ka imunitet funksional, pasi Gjykata e Apelit nuk është kompetente për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata e Apelit vlerëson se, ende ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, konform nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale, duke pasur parasysh veprimet e së pandehurës, të ndërmarra gjatë dy rasteve.

Të gjitha këto tregojnë se, ekziston rreziku se e pandehura po të gjendet në liri do ta përsërisë veprën penale, ndaj dhe kjo rrethanë paraqet bazë të mjaftueshme për caktimin e paraburgimit, konform dispozitave të lartëpërmendura.

Top Channel