Vizita e Dikoviçit, Hyseni takohet me kreun e KFOR-it

24/11/2015 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni ka takuar këtë të martë komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, për të diskutuar efektet destabilizuese që ka pasur vizita e gjeneralit serb, Lubisha Dikoviç, në Prishtinë, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Sipas një komunikate për mediat, të lëshuar pas takimit, Hyseni ka thënë në takim me kreun e KFOR-it se, vizitat e tilla të ushtarakëve serbë të akuzuar nga shoqatat e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe ato serbe për krime lufte në Kosovë, nuk i kontribuojnë rendit dhe sigurisë së përgjithshme.

“Për më tepër, vizitat e tilla mund të destabilizojnë situatën. Si të tilla, këto vizita janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin”, thekson ministri Hyseni.

Ministri Hyseni dhe komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, ranë dakord që komunikimi mes KFOR-it dhe MPB-së të jetë më efektiv në të ardhmen, në mënyrë që vizitat në Kosovë nga ana e individëve apo ushtarakëve nga Serbia, të akuzuar për krime lufte, të mos ndodhin.

Top Channel