Vrasja në Siri e shqiptarit, i ati: Nuk kishim kontakte, lajmin e mësuam nga media

24/11/2015 00:00

Pas vrasjes së të riut Mariglen Dervishllari në Siri, familjarët thonë se nuk dinin asgjë për vendndodhjen e tij dhe se lajmin e mësuan nga mediat.

Babai thotë se i biri u largua drejt Sirisë së bashku me bashkëshorten dhe djalin e mitur, ndërkohë në Siri ai është bërë sërish baba.

“E dija që ishte në Siri, sepse më 25 tetor të 2013-s, punonjësit e SHISH-it më kanë njoftuar mbi vendndodhjen e tij. Tërhoqi edhe gruan me gjithë djalin, ndërsa atje ka lindur edhe djali tjetër që mbush 1 vit më 9 dhjetor”, thotë i ati.

Gjithashtu, ai thotë se nuk ka pasur dijeni që djali i tij i përkiste rrymës radikale.

“Një apel kemi, të na vijnë eshtrat, sepse tjetër gjë nuk kemi çfarë të bëjmë tani. Megjithatë, edhe këtë nuk e ka për detyrë njeri të na e ofrojë, përveç se shtetit, nëse mundet, edhe pse unë e shoh të pamundur. Besimi islam nuk ka asgjë të gabuar, është shumë i saktë dhe shumë i rregullt. Por, një pjesë, siç i kemi parë kohët e fundit, fenë myslimane po e përdorin si maskë për të kryer veprime të tjera. Ata i dinë punë e tyre. Për mua, që e kam lexuar Kuranin dhe e kam studiuar në mënyrë të hollësishme, nuk shoh asnjë gjë të gabuar. Nuk lejohet askush t’i marrë jetën dikujt tjetër përveç Allahut që na e ka dhënë”, rrëfehet më tej i atij.

Mariglen Dervishllari është personi i dytë që ka humbur jetën në Siri nga fshati Rëmenj. Muaj më parë, u konfirmua edhe vrasja e Dorian Kuqos.

Top Channel