Rezultatet në Amerikë, Qerimaj: Jam përmirësuar. Europiani? Dua medalje

24/11/2015 00:00

Medaljet ne Kampionatin Botëror te Peshëngritjes që po zhvillohet në Houston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duket se kanë qenë larg për peshëngritësit tanë, por synimi i tyre ishte grumbullimi i pikëve për në Olimpiadën e Brazilit.

Erkand Qerimaj, i cili garonte ne Grupin B ne peshën deri ne 77 kilogram, u radhit i pesti, por vetë Qerimaj, në një intervistë për Top Channel tha se ishte i lumtur me rezultatin.

Sipas tij, ai ka përmirësuar rezultatet momentale, ndërsa është optimistë në Europian do të jetë në zonën e medaljeve. Po ashtu, Qerimaj është i bindur se Shqipëria do të ketë sportistët e saj edhe në Olimpiadën e Brazilit.

Intervista e plotë:

TCH: Erkand, vendi i pestë në 77 kg, çfarë do të thotë për ju ky rezultat?

Erkand Qermiaj, peshëngritës: Ky rezultat është shumë i rëndësishëm për mua sepse arrita të përmirësoj rezultatet e stërvitjes. Kam katër kilogramë në shkëputje dhe tre kilogramë nga 150 në 154 dhe nga 185 në 188 dhe bashkë me trajnerin tim jemi shumë të lumtur me arritjen. E rëndësishme është që unë jam në një formë shumë të mirë. Ky ishte edhe një test shumë i mirë edhe për Europianin që do të mbahet në muajin prill. Prandaj jemi shumë të kënaqur me rezultatin.

TCH: Do të thotë kjo është një përmirësim i rezultateve tuaja?
 
Erkand Qermiaj: Një përmirësim i rezultateve momentale dhe jo përmirësim i rezultateve të mia maksimale sepse unë dy muaj jam përgatitur për këtë garë.

TCH: Para se të niseshit për në Amerikë deklarove për Top Channel se qëllimi kryesor është kualifikimi për në Lojërat Olimpike “Brazil 2016” dhe pastaj pse jo të tentohet edhe zona e medaljeve. Vendi i pestë a të jep mundësi që të shpresosh për një kualifikim për në Rio 2016?
 
Erkand Qermiaj: Po të jep shpresë sepse vendet e tjera që janë kualifikuar (nivele ekipore) nuk hyjnë në këtë renditje. Do të merret parasysh edhe kjo garë edhe ato që do të organizohen në 2016-n dhe do të mblidhen të gjitha pikët së bashku gjë që është shumë pozitive.

TCH: Keni shpresa që Shqipëria do të ketë peshëngritësit e saj në Lojërat Olimpike?

Erkand Qermiaj: Po, kemi shpresë sepse edhe në Europain mund të kualifikohemi. Në qoftë se shkojmë më ekip të plotë në Europian, atëherë dy sportistë mund të marrin pjesë në Olimpiadë.

TCH: Përmirësimi i rezultateve momentale ju jep një shpesë për Europainin e ardhshëm, jo thjesht për kualifikimin, por të futesh në zonën e medaljeve?

Erkand Qermiaj: Ai është synimi kryesor për Europianin. Duke pas parasysh se kemi një kohë të gjatë për përgatitje është shumë pozitive sepse unë do të përmirësoj rezultatet që arrita këtu. Pra, duke pasur disa muaj kohë është shumë normale që do të përmirësohem dhe me këtë përmirësim unë do të jem në zonën e medaljeve.

Top Channel