Aksident me pasojë vdekjen e një 70-vjeçareje në Korçë

24/11/2015 00:00

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mbrëmjen e së martës në qytetin juglindor të Korçës. Një grua e moshuar, kalimtare e rastit, ka mbetur viktimë e aksidentit automobilistik.

Gruaja, e cila mendohet të jetë mbi 70 vjeç, është përplasur nga një automjet, teksa po kalonte nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër, në ngjarjen që është regjistruar në unazën e qytetit.

Pasi e ka përplasur, automjeti është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë gruan e pajetë në mes të rrugës. Kalimtarë të rastit kanë sinjalizuar policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por pavarësisht përpjekjeve, ende nuk është bërë e mundur identifikimi i viktimës.

Nga ana tjetër, pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, autori ka mumdur t’i shpëtojë policisë, duke mbetur edhe ai i paidentifikuar. E moshuara është transportuar në morgun e Korçës, në pritje për t’u identifikuar.

Top Channel