“Fiks Fare”, kushtet e rënda në Shkollën e Bashkuar të Kolonjës

24/11/2015 00:00

“Fiks Fare” ka vizituar Shkollën e Mesme të Bashkuar në Kolonjë të Lushnjës për shkak të kushteve shumë të rënda. Lagështia është kudo në tarracën e kësaj shkolle si dhe në katin e parë, ndërsa tualetet janë në kushte edhe më të rënda.

Drejtoresha e këtij institucioni tregon se për më shumë se një dekadë nuk është bërë asnjë investim në këtë shkollë, çka ka shkaktuar edhe rëndimin e situatës në këtë objekt.

“Gjendja e shkollës është kjo që shihini sepse këtu nuk janë bërë ndërhyrje prej vitesh. Rikonstruksioni i fundit është bërë para 11 vitesh. Bashkia na ka premtuar, është bërë një projekt dhe po pritet një tender sepse shuma e lekëve që duhet për ta rikonstruksion është e madhe dhe duhet me patjetër të kalojë përmes tenderit. Se kur do të bëhet varet nga ata”, deklaroi drejtoresha e shkollës, Rozafeta Hasanbelli.

“Fik Fare” shkoi edhe në Bashkinë Lushnjë për t’i pyetur se kur do të bëhen investime në shkollën e Kolonjës. Nënkryetari i bashkisë, Gentian Nushi tha se janë në proces tenderimi dhe se do të fillojnë së shpejti me rikonstruksione.

“Që me marrjen e detyrës në bashkinë e re ne kemi evidentuar të gjithë problematikën në të gjithë territorin e bashkisë dhe një nga këto problematika janë edhe shkollat duke filluar nga Kolonja. Aktualisht jemi në proces tenderimi për blerjen e materialit për të bërë rikonstruksionin e tualeteve në radhë të parë sepse janë vërtet problematike dhe jo vetëm në Kolonjë, por edhe në njësitë e tjera administrative dhe besoj se është çështje ditësh kur do të mbyllet procedura dhe do të fillojmë me rikonstruksionin e tyre. Duke parë edhe problemet me buxhetin, kemi aplikuar edhe pranë ‘Korpusit të Paqes’ dhe kemi fituar një projekt për shkollat e qytetit. Pra, ka filluar puna për rregullimin e të gjitha tualeteve në shkollat e qytetit”, deklaroi Gentian Nushi, nënkryetar i Bashkisë Lushnjë.

Por, i pyetur për lagështinë në tarracën e shkollës, Nushi tha se do të bëhet një hidro-izolim i përkohshëm, ndërsa ka ftuar ekipin e “Fiksit…” që ta vizitojnë sërish pas 15 ditësh për të parë ndryshimet.

“Problematikat janë nga më të ndryshme, por ne do të fillojmë me tualetet, me rrethimet e shkollave dhe për lagështinë do të bëjmë hidro-izolim pjesor edhe të tarracës së shkollës në Kolonjë. Do t’ju ftoj juve që të vini brenda 15 ditësh sepse do të marrin fund këto problematika”, vazhdoi Nushi.

Megjithatë, “Fiks Fare” i ka dhënë 1 muaj kohë Bashkisë Lushnje për të realizuar premtimet e dhëna për shkollën e Kolonjës.

Top Channel