Mesila Doda, rebelim ndaj kujt?

24/11/2015 23:15

Pas një mungese dymujore që kur vendosi të largohet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, deputetja Mesila Doda, thyen heshtjen për të rrëfyer arsyet e këtij  vendimi politik, por jo vetëm. Në një intervistë me gazetarin Alban Dudushi në “Top Show”, Doda sqaron sfidat e saj dhe hedh dorashkën e duelit.

Alban Dudushi: Çfarë ka ndodhur këto dy muaj me Mesilën që pas letrës ku ju deklaruat largimin tuaj nga PD?

Mesila Doda: Unë nuk besoj se kam heshtur këtë kohë, se edhe po të dua të hesht nuk jam person që më shkon shumë për shtat kjo gjë. Le të themi që mund të kem pasur prioritete të ndryshme siç janë iniciativa të ndryshme ligjore  që kanë pasur në qendër çështjen e gruas, e cila është një nga kauzat e mija prioritare. Sigurisht, unë besoj se ka patur nevojë për reflektim. Me të drejtë ju keni vënë re që para se të shkruaja letrën formale të ndarjes nga PD, unë isha njeriu që as nuk thërritesha më në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së. Kjo ishte ajo që unë nënvizoja në letrën time të largimit, sepse në të vërtetë nuk mund të të përjashtojë njëri me urdhër të kryetarit të grupit, pasi vendimarrja është në instanca më të larta. Megjithatë nuk mund të flisja për këtë para fushatës, nuk mund të flisja për këtë në mes të fushatës, sepse unë jam njëri politik dhe afërmendsh nuk mund të dëmtoja forcën politike, së cilës i përkisja. Prita që pas rezultatit zgjedhor, do të kishte një qasje ndryshe, një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të gjithë zërat të dëgjoheshin. Ka një problem në politikën shqiptare, në nuk kemi kryetarë në krye të partive. Në kemi mbretër dhe kjo po kthehet në një problem të të gjithë sistemit, madje ky është shkaku themelor i asaj që po përjetohet në politikë.

Alban Dudushi: Kur them ka heshtje, nuk e kam fjalën tek heshtja jote mediatike. Letra jote u duk sikur ishte një këmbanë bosh, e cila as brenda Partisë Demokratike nuk u diskutua fare?

Mesila Doda: Jo nuk ndodhi, sepse ato çështje, për të cilat unë flisja, nuk janë të reja. Unë nuk kam heshtur këto dy vjet .Kam patur dy vjet kohë për të folur për gjërat që nuk më shkonin. Realiteti ka treguar se kauzat që kam mbështetur shumë fort, në të vërtetë janë kauza shumë të rëndësishme. Mos harroni që ky dekriminalizimi që flitet sot më Kuvend nisi nga gratë, me detyrimin e tyre për lënien e dy mandateve. Në bllokuam një seancë parlamentare aso kohe flas për gratë opozitare, të mbështetura edhe nga zonjat deputete të Partisë Socialiste, por kur u politizua ato u kthyen një hap pas. Jo vetëm kjo, por dhe kauza e armëve kimike, kauza e reformës administrative. U bë një reformë siç deshën socialistët. Mbajti njëri përgjegjësi që PD nuk e tha fjalën e saj në këtë reformë?Pastaj u futën të gjithë në zgjedhjet vendore dhe askush nuk e mbajti përgjegjësinë për këtë mungesë të madhe që ndodhi atëherë. Sigurisht, mua sot nuk më takon ta them këtë gjë, sepse kam bërë një zgjedhje që është largimi nga PD, por në fund të fundit dua të them vetëm diçka, a do të jemi të vërtetë në kauzat, në ato që mbrojmë?Opozita, nëse nuk arrin të investohet me shpirt në një kauzë, dhe unë këtë kam kërkuar, nuk ka për të arritur kurrë të jetë e besueshme. Kjo ndodhi për shembull në zgjedhjet lokale, ku edhe pas një qëverisje tmerrësisht autoritariste me probleme të theksuara në ekonomi e ligje, opozita nuk arriti që të ngrinte asnjë votë më shumë. Pra, le te themi ai ishte momenti kur opozita do të duhej të kuptonte se po vinte në pushtet. Sepse unë nuk besoj që vjen në pushtet vetëm duke qenë një opozitë antiqëveri, e cila thotë vetëm çfarë po bëhet keq. Tek e fundit kush e bën diferencën? Kush është ajo që jep shpresë tek njerëzit?Jo, thjesht unë po dal e po shaj në parlament e pastaj çfarë ndodh?A kemi iniciativa, të cilat mund ta ndryshojnë gjendjen, sepse kështu duhet bërë opozita.

Alban Dudushi: Letra juaj ishte e qartë me lidershipin e ri të PD, me zotin Basha kryesisht dhe mënyrën sesi po bëhet politika, por ka shumënjërëz që thonë se problemi më i madh brenda PD mbetet zoti Berisha. Çfarë mendoni?

Mesila Doda: Nuk më pëlqen të bej dualizma. Unë po shoh përditë që kjo që po ndodh është politika e zotit Basha. Që të dal sot e të them që vendimet nuk i merr zoti Basha, por dikush tjetër, kjo nuk është logjike .Jo nuk është e vërtetë. E shikoj dhe e di që vendimet në PD i merr Lulëzim Basha, por kur ka interes na shitet sikur ai është një kontrafigurë sikur është një person më i pushtetshëm që vendos për të. Në fakt nuk ka një njëri tjetër. Ai është kryetari i Partisë Demokratike me të mirat dhe të këqijat dhe me rezultatet që merr në zgjedhje. Në këto raste mundohet të heshtë apo të kthehet një hap mbrapa.

Alban Dudushi: Problemi i PD nuk ka filluar me zotin Basha në krye të PD. Këtë doja të thoja. Problemi i PD sipas disave, ka nisur me zotin Berisha në krye të PD në 4 vitet e dyta të qeverisjes tuaj. Ata i lidhin këto me arrogancën, me korrupsionin, me historitë që pati partia qoftë nga baza e saj, qoftë nga njerëzit në krye të PD.

Mesila Doda : Alban, zoti Berisha ka 20 vjet që ishte në krye të PD. Pra, le të themi që nuk është kjo çështja. Çështja është çfarë modeli solli zoti Basha në krye të PD-së? Ishte modeli që ai kishte dhe kur ishte në Bashkinë e Tiranës. Ju e mbani mend Bashën, kur tha nuk është armiku ynë, por është kundërshtar zoti Rama? Me këtë erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës aso kohe. Ndërkohë që nuk i thua dot që Berisha nuk mbajti përgjegjësitë e veta, sepse Berisha i mbajti ato. Ai u largua, mbylli një kapitull pavarësisht se mungesa e një analize brenda partisë ishte problemi. Kjo puna e analizës është bërë një lloj pasi, një lloj topi. Politika nuk bëhet dot pa asnjë sens të drejtpërdrejtë. Ajo që ndodhi në 2013 ishte pasojë a atyre që ju thatë, por nuk mund të quhet gabim, kur e thotë Mesila dhe quhet mirë kur e thotë zoti Basha pas një viti që e ka thënë Mesila. Duhet patur një kriter si vlerësohen gjërat. Kur unë them që po bëmë disa gabime, t’u kërkojmë ndjesë njerëzve për këto gjera që bëmë u duk sikur ishte fundi i botës. Kur kërkoi ndjesë zoti Basha u duk si trimëri e madhe shumë. Kjo është jo vetëm një standard i dyfishtë, por dhe një të bërit politike shumë keq edhe nga lidershipet, por edhe nga mediat të cilat i përkrahin. Kushdo që mundohet sadopak të ngacmojë sulltanët e mëdhenj të partive, duhet t’i pllakosë heshtja për t’u anatemuar.Nuk është kjo demokracia, por kjo është ajo që ndodh. Në këtë skenë që jemi ne, a do te ketë njeri ndonjëherë kurajën t’i thotë gjërat ashtu siç i mendon dhe siç janë në të vërtetë dhe për këtë të mos quhet armik, të mos goditet, të mos rëndohet me gjithë intrigat dhe të mbajë peshën e gjithë asaj që nuk i duhet të peshojë? Unë tentova, bëra luftën time, e bëra edhe me kosto personale të madhe, por pashoqë kishte tronditje të njerëzve. Unë kisha një bindje dhe e deklarova pas qershorit të 2013.

Alban Dudushi: Pas një fotoje ku ju dukeni në muajin tetor, në krah të kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zërat për një afrim tuajin me mazhorancën janë përforcuar. Aktiviteti ka qenë në kuadër të muajit kundër kancerit të gjirit tek gratë.

Mesila Doda: Tani unë do prisja kancerin e gjirit që të afrohesha tek mazhoranca? Ky është një problem shumë i madh për t’u vënë në funksion të kauzave të tjera politike. Unë jam kryetarja e AGD-së dhe absolutisht do shkoj në të tilla aktivitete. Nuk do të kisha asnjë problem apo frustim që të thoja se jam afruar me mazhorancën, por nuk është kështu. Më thanë dhe më 8 Dhjetor të një viti më parë, sepse ishte në një takim të studentëve zoti Rama. Ka ardhur një moment qene shqiptarët duhet ta kuptojmë që nuk ka tabu njerëzore. Do ta takoj zotin Veliaj sa herë ta kem përpara, do ta takoj zotin Rama sa herë ta kem përpara dhe e takoj njësoj zotin Berisha, edhe zotin Basha, sepse nga ana njerëzore le të themi nuk kam asgjë me të.

Alban Dudushi: Me zotin Basha nuk keni komunikim njerëzor tani që po flasim?

Mesila Doda: Le te themi që jo.

Alban Dudushi: Po me zotin Berisha?

Mesila Doda: Kemi shkëmbyer disa mesazhe me zotin Berisha.

Alban Dudushi: Por, ndërsa shkëmben mesazhe me zotin Berisha dhe nuk takohesh me Bashën, takoheni me zotin Veliaj dhe zotin Rama?

Mesila Doda: Prapë sido që të jetë puna, prapë do ta takoja dhe zotin Rama, dhe zotin Berisha, dhe zotin Basha. Kështu që ta lëmë këtë.

Alban Dudushi: Kritika për mënyrën sesi po udhëhiqet PD po vijnë edhe nga brenda. Jozefina Topalli në mënyrë të qartë ka kritikuar zotin Basha për mënyrën e të bërit opozitë. Duket sikur jeni shumë afër me zonjën Topalli.

Mesila Doda: Nuk kam asnjë lloj problemi që të jem afër me cilindo individ përfshirë dhe zonjën Topalli që mendon si unë. Kjo nuk më shkakton asnjë qasje ndryshe nga ato që unë kam thënë dhe nënvizuar. Më vjen shumë mirë që ka zëra që evidentojnë problematika, por kjo tashmë është një çështje e PD-së,për të cilën unë nuk kam të drejtën dhe atributet qetë vazhdoj dhe të flas, përderisa mora vendimin. Por, çfarë kam thënë deri tani, kishin të bënin me momentin përpara vendimmarrjes time. Unë mund të flasë si analiste që tani e mbrapa, por jo si person i brendshëm i PD. Sigurisht, me zemër mbetem një nga ato studentet e Dhjetorit që themeloi PD-në. Por, mënyra sesi shkuan gjërat në PD përfundoi në një betejë të humbur. Unë nuk mund të vazhdoja të flisja vetëm për një mënyrë funksionimi që lidhet me sjelljen jo vetëm ndaj anëtarëve dhe deputetëve të grupit parlamentar, por dhe sesi të sillej me vërtetësi ndaj publikut .Zonja Topalli ka gjithë të drejtën të ngrejë zërin për gjërat brenda PD-së, ashtu si ajo i mendon, ashtu si ka të drejtën zonja Bregu, zoti Patozi, zoti Ristani, zoti Halimi e plot të tjerë.

Alban Dudushi: Ku do të shkoje Mesila pas largimit nga PD?

Mesila Doda: Unë kam qenë shumë afër kauzave, të cilat ka mbështetur PDIU,por dhe kam patur iniciativa të përbashkëta. Unë po ju them që një iniciativë e tillë është marrë dhe tani që flasim në bashkë. Në draftin që është bërë për dekriminalizimin, unë dhe zoti Idrizi kemi depozituar draftin që ka lidhje me dekomunistizimin dhe që do t’i bashkëngjitet për shqyrtim të paktën paketës së plotë. Edhe pse unë nuk kam ndonjë shpresë që partitë e mëdha do të arrijnë të shkëputen nga e shkuara e tyre. Ne i kemi depozituar përsëri bashkë këto amendime me zoti Idrizi, e cila ka një logjikë. Mirë, ju kërkoni që të ikin kriminelët dhe banditët nga politika, po këta të vjetrit që kanë bërë tortura, kanë kryer krime, kanë qenë xhelatë?Pse duhet të jenë ende në Kuvend, administratë apo në politikë? Përse zëvendësministri i dikurshëm duhet të jetë zëvendësministër edhe sot? Pse oficerët e dikurshëm të sigurimit vazhdojnë të jenë edhe sot? Pra, me këtë dua të them që kemi disa çështje që janë të përbashkëta, ndaj dhe unë ndjehem shumë afër çështjeve që ka mbështetur PDIU. Kjo ka të bëjë jo vetëm me çështjen çame, por përgjithësisht me çështjen kombëtare.

Alban Dudushi: Keni dhe bashkëshortin çam?

Mesila Doda: Absolutisht, unë kam familjen time. Bashkëshorti im është nga një familje shumë e madhe e Çamërisë, janë fëmijët e mi, është vjehrra ime, pra le të themi e gjithë shtëpia.

Alban Dudushi: Pra, ju dukeni sikur jeni më mirë pranë PDIU edhe për shkak të familjes?

Mesila Doda: Po jo, kjo nuk ka lidhje, sepse nuk mund të jetë një parti vetëm me një kauzë. Ne kemi dhe çështje të tjera të pazgjidhura, të cilat kërkojnë një interes të veçantë. Sot,ne kemi çështjen e Preshevës, ku po ndodh një genocid i heshtur. Është Çamëria e dytë ajo që po ndodh atje dhe për këtë nuk mund të rrish dot në heshtje. Keni parë një njeri në politikën shqiptare ta ngrejë këtë çështje? Jo. Ne, 11 zonja nga Parlamenti dhe shoqëria civile shkuam në Preshevë, Bujanovc, Tetovë. tek Kodra e trimave. Kemi guxuar të largojmë këtë ndasinë e çuditshme që të gjithë jemi shqiptarë dhe askush nuk flet për tjetrin. Pra, çështja shqiptare ka nevoje për zë, çështja e pazgjidhur si duhet e Kosovës ka nevojë për zë, ajo e shqiptarëve në Maqedoni ka nevojë për zë, por padyshim në krye mbetet çështja e pazgjidhur e Çamërisë.

Alban Dudushi: Gjithë këto çështje të bashkojnë me Shpëtim Idrizin, vetëm një gjë nuk po thua ende kur do të jetë anëtarësimi i plotë i juaji në PDIU?

Mesila Doda: Unë nuk e kam marrë vendimin zyrtar  për t’u bashkuar me PDIU, por po them se ndjehem shumë pranë çështjeve që ajo mbron. Puna është që duhet të bashkojmë kontributet dhe një forcë politike ka nevojë për forca të reja, ka nevojë edhe për njerëz, të cilët i thonë gjërat ashtu si i mendojnë, ju pëlqejnë apo nuk ju pëlqejnë njerëzve. Unë nuk lëviz nga gjërat për të cilat kam folur. Unë nuk do lejoj kërkënd që të më skllavërojnë vendimet që marr, në fjalimet që bëj,që të më detyrojë të bëj votime të shtrembëta. Asnjëherë nuk kam për të shkuar drejt një vendimmarrje që nuk e besoj se është e drejtë. Ndaj të gjitha këto janë çështje që do të duhet t’i diskutoj dhe të jem në sinkron në ditët në vazhdim.

Alban Dudushi: PDIU në këtë moment që flasim, është në aleancë të shpallur me mazhorancën. Por, duke qenë më afër me zotin Idrizin më sqaro një gjë; ai është më afër me PS-në dhe Ramën apo me LSI-në dhe Metën?

Mesila Doda: Besoj se për këtë gjë është më mirë të pyesni vetë zotin Idrizi. Unë di të them vetëm një gjë që po bëhet evidente nga dita në ditë. Zoti Idrizi ka bërë një aleancë për zgjedhjet vendore, në të cilat PDIU u tregua një force shumë energjike duke fituar bashki, është një force që sot ka 70 mijë vota dhe nuk mund të konsiderohet më si një forcë e vogël. Ata, të cilët marrin përsipër të bëjnë marrëveshje me forcat politike duhet të kenë jo vetëm koherencën. por duhet të kuptojnë se duhet të respektojnë marrëveshjet. Ato nuk janë për t’u anashkaluar, për t’u tejkaluar dhe për te thënë “ok”. Marrëveshjet respektohen .Besoj se këtë ka theksuar zoti Idrizi, por kjo nuk është ende një çështje që më takon mua dhe jo në këtë moment.

Alban Dudushi: Dakord, por ndërkohë që ne shikojmë që me zotin Rama zoti Idrizi ka mbetur në ajër që nga momenti i zgjedhjeve lokale, e shikojmë që pas takimeve të Metës me Ramën, të jetë Idrizi pas Metes gjithmonë dhe në mënyrë të menjëhershme.

Mesila Doda: Atëherë dhe një herë mos më bëni të tejkaloj veten, sepse unë nuk mund të flas në emër te një personi tjetër. Flisni me zotin Idrizi dhe pyeteni për të gjitha këto. Unë nuk mendoj që deri më sot kemi një pjesëmarrje të plotë të PDIU në mazhorancë. Ka patur një moment në zgjedhjet vendore, por një marrëveshje të jetësuar nuk shoh të ketë. Gjithsesi, ky është një deduksion i imi nga jashtë, nuk është një deduksion si një njeri, i cili është njeri partiak. Po të isha e tillë dhe të kisha marrë këtë vendim, sot do të kisha ardhur dhe do të kisha thënë disa gjëra te tjera më të vështira e më të rënda se kaq.

Alban Dudushi: Pa dyshim, por duke menduar që mund të jesh nesër dhe mund të flasësh si e mandatuar për PDIU, ju kujtoj që PDIU është më afër me mazhorancën sesa me opozitën . Ju nga ana tjetër në letrën tuaj e keni cilësuar këtë qeverisje si të dështuar në këto dy vite qeverisje.

Mesila Doda: Absolutisht,dhe vazhdoj të ndaj sërish të njëjtin mendim. Kjo qeverisje ka probleme me çështjen e autoritarizmit dhe ka një moskuptim të thelle në lidhje me çështjet ekonomike të vendit. Tentohet që të dilet nga një gropë e madhe ekonomike duke shtuar presionin dhe duke moskuptuar qenë themel të rregullimit të një çështje të tillë është liria.

Alban Dudushi: Sukses në mbledhjen e të ardhura të energjisë elektrike nga OSHE që ishte një skandal në 8 vitet e qeverisjes së PD, sukses në pagesën e tatimit të vlerës së shtuar ; nuk ka dyqan sot që të shkosh dhe të mos marrësh kuponin tatimor. Natyrisht,që të gjitha këto janë barra, por nga ana tjetër mund të jenë një shtrat që kthehet në normalitet për të filluar dhe për të ecur ekonomia.

Mesila Doda: Atëherë, le të nisim t’i marrim një e nga një. A duhej që të kishte një aksion ndryshe për marrjen e detyrimeve nga OSSH? Po. Mendoj që duhej një aksion, por jo me ato përmasa ku u shkelën hapur të drejtat e njeriut dhe u nëpërkëmbën skamnorët. A do të duhej të kishte patur një qasje më të kujdesshme? Po, sepse ka patur raste që kanë përfunduar në rajonin e policisë fëmijë me gjithë nëna, mos harrojmë që kanë qenë të mitur e kanë përfunduar në dyert e burgjeve. Nga ana tjetër, nëse ti ke një gropë të përmuajshme në buxhet, nuk mund të abuzohet në emër të kësaj. Nuk mund t’i vendosësh kasën fiskale një njeriu që shet misra. Pra, ka një diferencë, kur ti kupton që kush është pjesa e mirë dhe kush është pjesa e keqe në një qeverisje. Vendimet që u bënë në lehtësimin e biznesit, janë të mira. Këto janë gjëra që e ndajnë shumë të majtën nga e djathta. Edhe në kohën e PD-së ka patur një mëdyshje të madhe nëse duhet apo nuk duhet taksa e sheshtë, por ndërkohë ajo solli një impakt shumë të mirë në ekonomi, solli dyfishim të buxhetit. Pse? Sepse,jemi vende të varfra dhe kemi nevojë për iniciativa që ta formalizojmë ekonominë.

Alban Dudushi: Ka ne parlament aktualisht persona që vijnë nga ajo periudhe ish-komuniste?

Mesila Doda: Sigurisht qe ka.Kryetari i komisionit te ligjeve, kryetari i komisionit te sigurisë, kryetari i grupit parlamentar te PS, deputete, ish-prokurore, ke mjaft , sot i ke dhe ne pozita shume te rëndësishme.

Alban Dudushi: Për të cilët ju mendoni se duhet te dalin nga parlamenti?

Mesila Doda: Unë mendoj që duhet të votojnë për ligjin e dekomunistizimit jo ata që unë thashë sepse e di që kanë konflikt interesi, por pjesa tjetër, e cila kërkon një ndarje nga e kaluara, duhet të jetë shumë e përgjegjshme seç ka qenë deri më sot. Mua vazhdojnë dhe më thonë. Pse i bie të njëjtës derë, të njëjtës këmbanë? Sot ti ke ministrin e Drejtësisë së Estonisë, i cili bën thirrje dhe kërkon të ngrihet “Nuremberg 2” për krimet kundër e komunizmit. Dhe kësaj iniciative i bashkëngjitet dhe ministri i Drejtësisë  bullgare dhe ai polak dhe ai rumun. Pra ka një qasje tjetër ndaj probleme që ne kemi kaluar .Sigurisht Europa ka vuajtur më shumë fashizmin dhe unë e kuptoj këtë, por ne që kemi vuajtur komunizmin nuk ka asnjë mundësi të mos kemi një vendimmarrje për atë që kemi kaluar. Çfarë ka qenë. A ka qenë regjim kriminal ky i joni? Vendimmarrësit a mbajnë një përgjegjësi? Ata njerëz kanë të drejtën të jetojnë jetën e tyre, por ama nuk mund të marrin me vendime në shtetin shqiptar. Sepse t’i po i thua një personi që ka 20 vjet që ka kryer një plagosje që nuk ke të drejtë të vish në Parlament. Pse këto të tjerët janë burra më të mirë dhe duhet të lejohen të jenë pjesë?

Alban Dudushi: Po ju e dini që ligji i dekriminalizimit mori shumë kohë për tu hartuar dhe për të arritur në një vendimmarrje. Ju duket sikur fusni një virus me këto amendime. Ndërkohë ç’po bëhet me ligjin e lustracionit që ju depozituat kohë më parë në Parlament me z.Idrizi?

Mesila Doda: Ligji që ne depozituam , ishte ligji i lustracionit, ndërsa i zotit Veliaj ishte për hapjen e dosjeve për informacion. Edhe ky ligj që u kalua nga Parlamenti, sot e kësaj dite nuk ka pasur akoma eficencën e duhur, ndërsa i joni në atë kohë nuk u votua. Por ajo që sot ne duhet të na tronditi është se akoma nuk është hapur asnjë dosje. Është miratuar që para se z.Veliaj të bëhej kryetar bashkie dhe janë mbi 6-7 muaj dhe as komision nuk është ngritur, as zyra nuk janë ngritur, as dosje nuk janë hapur. Pra edhe kjo është dhe diçka e mbetur dhe akoma asnjë s’ka dhënë shpjegime në lidhje me këtë çëshjte. Sot e 2 vjet më vonë, unë nuk do pushoj kurrë së thëni që ne kemi nevojë të ndahemi nga e kaluara sepse të gjithë këta që dalin sot, janë shprehje e një mentaliteti stalinist në Shqipëri edhe z.Rama, edhe z.Basha edhe z.Meta. Ata edhe në mënyra të vogla, kanë tendencën të kontrollojnë gjithçka në këtë vend. Nuk mund të ekzistojë një sistem edhe në demokraci edhe në demokraturë. Ta kenë të qartë këtë gjë.

Alban Dudushi: Po pse këto amendime tuajat duhet të futen me se s’bën tek dekriminalizimi?

Mesila Doda: Kriminelet nuk kanë ngjyrë, kriminelet janë njësoj. Kriminelet e vjetër dhe të rinj. Unë do ta propozoj këtë draft jo vetëm tek dekriminalizimi, por do ta fus në çdo moment që do të kem mundësi që të kemi dhe një hapësirë të vetme për të ndarë atë që është e sotmja e shtetit shqiptar me të djeshmen e shtetit shqiptar. Nuk është kriminel më i lehtë njeri që ka vrarë për bindje politike sesa një njeri që ka trafikuar. Sfida e sotme nuk është pushteti pa fund, por ndërthurja e të gjithë resurseve njerëzore.

Alban Dudushi: Ku është sistemi që ne zgjedhim dhe që vendosim për të na përfaqësuar ne njerëzve.

Mesila Doda: Tani ju keni prekur atë që është “ thembra e Akilit” e të gjithë sistemit politik. Kush është kjo? Ne kemi ngritur një sistem që kemi sjellë në parlament persona të tillë që na detyrojnë të bëjmë një ligj për t’i hequr serish nga parlamenti dhe një ligj që duhet të ndryshojë dhe kushtetutën dhe gjëra të tjera. Asnjë nuk mbajti përgjegjësi për këtë gjë. Edhe këtu jemi përballë një sistemi që është tronditur në përfaqësimin e tij në demokraci. Kjo që ndodhi ka dy probleme të mëdha. E para, u ka dhënë autoritet pafund kryetarëve të partive, nuk kemi kryetarë partish, por sulltanër që zgjedhin. Pra pushteti është i pafund dhe nuk matet dot. Çështje shumë e madhe dhe shumë e debatueshme është dhe mënyra sesi kontrollohet sot vota. Nuk ka sot asnjë hapësirë që t’i të krijosh sot një parti të re dhe të mendosh se mund të bësh diferencën. Sepse për këtë nuk ke kontroll. Qysh në fillim të dyja forcat politike kanë vendosur me forcën e kartonit që e menaxhojmë në këtë sistem, kë duam ne e vëmë dhe e largojmë sipas dëshirës. Kjo është një defekt principial i sistemit sepse ti përjashton që në fillim demokracinë që mund të vijnë gjëra të reja dhe që mund të ketë persona të cilët rriten përgjatë kohës. Jo. Ne nuk kemi një sistem administrativ të votës, i cili të tejkalojë forcat politike. Ne kemi atë që do një forcë politike e fut brenda, atë që nuk do e lë jashtë.

Alban Dudushi: Po diskutohet shume sistemi i proporcionalit me prim.

Mesila Doda: Z.Dudushi, ka dhe një sens matematik kjo çështje. Duhet ta kuptojnë forcat kur kanë shanse të dalin një votë para në zgjedhje. Kjo puna e primit është fus disa deputetë, pjesën tjetër e marr gratis. Edhe kjo nga një aspekt është jo vetëm autoritarizëm, por shtrembërim i vullnetit të njerëzve. Njerëzit kanë votuar për një forcë tjetër ndërkohë që t’i këtë 30 e merr dhe thua jo se dua ta marrë unë për veten time. Jo nuk funksionon kështu demokracia. Mos të tentohet që me dhunën e kartonit të tentohet të merret fitorja. Nuk fitohet në tavolinë, nuk kanë për ta bërë dot këtë gjë, mish-mash vendin më keq sa sot do ta bëjnë në këtë mënyrë. Duhet t’i bihet drejtë kësaj historie dhe të thuhet, kaq vota morëm nga njerëzit, kaq pushtet kemi në dispozicion. Sistemi më i mirë për përfaqësim sot është ai që aplikohet në Kosove  një zonë zgjedhore në proporcional me lista të hapura.

Mesila Doda: Albin Kurti lider historik, por nuk është më se është Visari në këto moment .Ato bënë një koalicion të gjerë. Problemi i tyre lindi me “Zajednicën”, pra me komunat serbe që janë në atë territor. Mua personalisht mendoj që kjo është një mënyrë për të futur atë virusin e asaj që ndodhi ne republikën Srbska. Nuk është një hap që i shërben Kosovës por që e dinin që do te ndodhtë sepse ishte pjesë e pakos së Ahtisarit. Kjo nuk do të thotë që t’ja vëmë flakën dhe ta djegim sot Kosovën sepse kemi mbytur gjënë më të rëndësishme që kemi arritur ne shqiptarët .Ne kështu kemi bërë vetëvrasjen më të madhe te shekullit ndaj e vetmja gjë që unë do të kërkoja është që kauza është e drejtë por mënyra sesi duhet menaxhuar , duhet të jetë me shumë gjakftohtësi. Mos harrojmë sot ka një grua që është arrestuar atje që është Donika , e cila nuk ka asnjë logjikë të thuash që unë po arrestoj deputeten. Le t’i lëmë marrëzitë. Nuk arrestohet as ajo, as Albini , as Albulena. Nuk zgjidhet kështu çështja. Duhet të ulen dhe të gjejnë një emërues të përbashkët për të shpëtuar Kosovën e tyre.

Alban Dudushi: Kauza e grave mbetet një nga çështjet që keni me përzemërt. Aleanca e grave në politikë, kryetare e së cilës ju jeni u zgjerua dhe përtej kufirit. Çfarë produkti ka sjellë kjo deri më tani?

Mesila Doda: Kam përshtypjen që ne gratë ja ulim vetë fuqinë vetes. Ne jemi gjysma e kombit dhe është e pamundur që ne të mos kishim gjysmën e fuqive në vendimmarrje, në pushtet. Ne kemi një emërues të përbashkët, jemi të gjithë shqiptarë. Kemi jo vetëm sfida të ngjashme, por kemi dhe pozicionime shumë të ngjashme shumë herë. Ne kemi bërë shumë seanca me gratë deputete të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Alban Dudushi: Nëse mund t’i identifikojmë në mënyrë telegrafike.

Mesila Doda: Nën pozicionimi i gruas në politikë, gratë e Kosovës ja kanë mbërritur më shpejt se në sepse u mbështeten dhe nga ndërkombëtarët. Sot ato janë më të kuotuara në pjesën e përfaqësimit në parlament. Kur ne futëm 50% në parlament sigurisht dhe ne na dhënë mbështetje, por nuk e keni idenë sesa mund na është dashur të arrijmë deri këtu. Megjithatë nëse kryetarët e partive nuk do kishin qenë dakord me këtë, absolutisht nuk do të kishim arritur deri këtu dhe unë i falenderoj për këtë , por mënyra sesi është arritur ishte shumë e mundimshme. Z.Basha ndaj të cilit unë mund të kem njëmijë pakënaqësi di të them që e mbështeti këtë pjesë. Tani do të jetë prova e tyre e vërtetë për parlamentin e ardhshëm . 40% do të duhet të jenë përfaqësi reale e grave. Pra duhet të jenë 56 gra deputete femra ne parlament. Ka një patriotizëm të ri që po rritet në Shqipëri. E kemi filluar në nivele kulturore dhe mediatike. Ndërkohë që politika ka qenë shumë e ndarë dhe ka qenë e ndarë sepse ka interesa të tjera për të ndarë. Nga ana tjetër ka një tendencë shqiptarët e Maqedonisë thuajse janë të harruar aty ku janë. Faktorët maqedonas e gjejnë shumë shpejt gjuhën e bashkëpunimit me njëri tjetrin. Te gjithë duhet të jenë të rëndësishëm. E kemi detyrim kushtetues dhe nuk i shmangemi dot kësaj. Këtë gjë janë duke bërë gratë sot. Do të duhet të përafrohemi si për shembull leku dhe euro.

Top Channel