Tensione Rusi-Turqi; Moska e quan akt armiqësor rrëzimin e avionit

25/11/2015 00:00

Pas rrëzimit të avionit rus një ditë më parë nga “F16”-at turq, tensionet mes Moskës dhe Ankarasë janë në pikën e tyre më të lartë. Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov anuloi vizitën e planifikuar të mbahej sot në Ankara dhe i ftoi të gjithë qytetarët e vendit të vet të shmangin udhëtimet drejt Turqisë.

“Kemi bërë çdo gjë që ishte e mundur për të shmangur incidentin, por të drejtën e turqve për të mbrojtur kufijtë e tyre duhet ta respektojnë të gjithë”, deklaroi Presidenti Recep Tayyip Erdogan, në mbrojtje të të cilit ka dalë edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama.

“Turqia ka çdo të drejtë të mbrojë territorin e saj”, ishte deklarata e kreut të administratës amerikane, ndërsa nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, mbërrin thirrja për qetësi dhe për shmangien e çdo përshkallëzimi të rrezikshëm të situatës.

Por zemërimi i Moskës është i madh. Ministria e Mbrojtjes e quajti një “akt armiqësor” goditjen e avionit dhe ka ndërprerë të gjitha kontaktet ushtarake me Ankaranë. “F-16” që rrëzoi mjetin rus ka shkelur hapësirën ajrore të Sirisë dhe nuk ka tentuar kurrë të kontaktojë me pilotët, – thuhet në deklaratën e saj, – ku theksohet gjithashtu se “SU-24” i rrëzuar nuk e ka shkelur kufirin turk.

Avioni, gjithmonë sipas burimeve ruse, ishte duke u kthyer në bazën ajrore të Khmeimimit, pranë Latakias, kur u godit nga turqit. Mbrëmjen e së martës erdhën dhe masat e para të Moskës për misionet në Siri, ku të gjithë avionët e zbulimit tashmë do të shoqërohen nga avionë bombardues, ndërsa kryqëzori “Moskva” do të avancojë drejt bregut të Matakias për të forcuar mbrojtjen kundërajrore.

Rusinë e përkrahu regjimi sirian, që sipas agjencisë shtetërore “Sana” ka dalë me pohimin se, qeveria turke është “me padyshimin më të vogël në anën e terrorizmit”.

Ankaraja ka dhënë sakaq të tjera informacione mbi ngjarjen, duke saktësuar se nuk ka qenë një, por dy avionë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore në zonën kufitare me Sirinë, por pas paralajmërimeve të vazhdueshme të forcave turke, njëri prej tyre u largua, ndërsa tjetri vazhdoi fluturimin dhe u godit kur ndodhej në kuotën e 6.000 metrave.

“Kemi të drejta të plota të marrim çdo lloj mase kundër shkeljes së kufijve tanë”, ishte deklarata e kryeministrit Ahmed Davutoglu, që argumenton se vendi i tij ushtroi një të drejtë ndërkombëtare dhe një detyrim kombëtar.

Muajin e kaluar, aviacioni turk rrëzoi një “drone” dhe akuzoi Moskën për spiunazh. Episodet e kalimit të hapësirës ajrore dhe afrimet e rrezikshme mes avionëve rusë dhe atyre turq nuk kanë qenë të pakta. Vetëm nga data 3 deri më 10 tetor, përplasja mes avionëve të të dyja palëve është shmangur në të paktën 13 raste.

Mbetet ende i paqartë, ndërkohë, fati i dy pilotëve. Shtabi i Përgjithshëm rus njoftoi mbrëmjen e së martës se, njëri prej tyre ka vdekur i qëlluar nga toka, teksa zbriste me parashutë, por Ankaraja nuk konfirmon, e thotë se sipas informacioneve të saj, që të dy pilotët rusë rezultojnë të jenë të gjallë, edhe pse nuk dihet se ku ndodhen saktësisht.

Top Channel