PD: Pas bllokimit, u zhduk në polici furgoni me drogë

25/11/2015 00:00

Partia Demokratike ka lëshuar sot akuzat më të forta për implikimin e Policisë në trafikun e drogës. Sipas saj, në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, një furgon i bllokuar me 800 kilogramë kanabis është lejuar të dalë sërish nga mjediset e policisë, së bashku me drogën, duke u nisur drejt Italisë.

Madje, sipas demokratëve, droga u përkiste të afërmve të ministrit të Brendshëm dhe, për këtë, ai ka bërë edhe disa shkarkime në Policinë e Vlorës për të mbyllur çështjen.

“Po mbushet një javë, që Saimir Tahiri mban të fshehur ndoshta ngjarjen më të rëndë kriminale të kohëve të fundit, grabitjen brenda Komisariatit të Vlorës të një furgoni të ngarkuar me 800 kilogramë kanabis. Furgoni me drogë, në të vërtetë nuk është grabitur, por është lejuar të merret, i janë hapur portat. Sipas informacioneve që vijnë nga oficerë të papërfshirë, që kanë bërë të mundur kapjen e kësaj sasie dhe bllokimin e furgonit në komisariat, droga lidhet me kushërinjtë e ministrit, me Habilajt e targës AA 003 GB. Urdhëri nga lart ka qënë i prerë. Akush të mos flasë, kush hap gojën pushohet nga puna. Skandali u zbulua, pasi ‘Guardia di Finanza’ e kapi pastaj në Itali këtë sasi droge. Tahiri mësohet se ka bërë disa lëvizje në Policinë e Vlorës për të kopsitur përfundimisht çështjen, për ta mbuluar atë. Është larguar nga detyra shefi i kufirit të Vlorës, për t’u zëvendësuar nga një besnik fanatik i Saimirit dhe me lidhje të forta me Habilajt”, tha Enkelejd Alibeaj.

Ai shtoi gjithashtu se, më 8 dhjetor, shqiptarët do të tregojnë se janë të bashkuar.

Top Channel