F1, debate e kundërshtime për motorët “low cost”

25/11/2015 00:00

Grupi strategjik i Formulës 1 votoi kundër përdorimit të motorëve me kosto të ulët nëpër makina, në mbledhjen e zhvilluar së bashku me drejtues të FIA-s.

Ideja e kësaj të fundit ishte që në vitin 2017, në kampionatin më të rëndësishëm të garave automobilistike, skuadrat të përdornin motorë, kostoja e të cilëve ulet në 6-8 milionë euro, gjë që do të ndihmonte jo pak skuadrat e vogla të këtij kampionati, të cilat nuk arrijnë të përballojnë koston aktuale të tyre, që është 5-6 herë më e lartë.

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit e di shumë mirë se me çfarë vështirësish po përballen shumë skuadra në Formula 1. Lotus do të qëndrojë në këtë botëror, nëse Renault do të arrijë ta blejë atë, ndërsa Red Bull e Toro Rosso ende nuk kanë gjetur zgjidhje për çështjen e furnizimit me motorë.

Sauber dhe Manor kanë kërkuar përpara kohe të ardhurat nga drejtat komerciale të tyre për 2015-n, që zakonisht jepen vitin pasardhës, për të mbyllur sezonin aktual dhe për të nisur përgatitjet për makinat e 2016-s.

Të kalosh nga përdorimi i motorëve prej 30 milionë eurosh, në ata me kosto vetëm 6 apo 8 milionë euro është një ide, që nuk pritet mirë nga kompanitë e prodhimit të motorëve, por edhe skuadrat e mëdha, sidomos Mercedes e Ferrari, të cilat e kundërshtuan atë me forcë.

Këto dy skuderi reaguan ndaj propozimit të FIA-s, duke bërë një ofertë alternative: duke ofruar motorë të tjerë, të një teknologjie hibride, kostoja e të cilëve shkon në 16 milionë euro, pothuajse 50% më e ulët në krahasim me koston aktuale.

Gjithsesi, vendimin përfundimtar në lidhje me këtë çështje pritet ta marrë Këshilli Botëror i FIA-s dhe nuk përjashtohet mundësia, që të vendoset detyrimi i skuadrave të Formulës 1 për të përdorur motorët me kosto të ulët.

Top Channel