Gjykata jep dënimet për bashkëpunëtorët e Xhorxho Riformatos

25/11/2015 11:40

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë për trafikun e drogës të mbetur në tentativë gjashtë bashkëpunëtorët e pilotit italian Xhorxho Riformato, i cili po gjykohet i veçuar për të njëjtin episod.

Saimir Bajrami u konsiderua fajtor edhe për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me 14 vjet burg, ndërkohë që po kaq u dënua edhe Maringlen Ymeri. Me nga 11 vjet burg u dënuan Kristian Demçe dhe Olgert Bilbili dhe me nga 10 vjet burg Kleviol Ahmeti dhe Aurel Pupe.

Për të gjashtë të pandehurit gjykata aplikoi gjykimin e shkurtuar sipas kërkesës së vetë të pandehurve, çka do të thotë se për secilin do të aplikohet edhe zbritja e një të tretës së dënimit.

Aktualisht, nën gjykim mbetet vetëm piloti Xhorxho Riformato, i cili u arrestua në Divjakë, ndërkohë që avioni “Pipper” që u dëmtua gjatë uljes mbahet i sekuestruar.

Piloti do të transportonte drejt Italisë gati 400 kilogramë kanabis që u bllokua pranë vendit të ngjarjes.

Top Channel