“Gazprom”-i kërcënon Kievin, mesazh edhe për Europën e Turqinë

25/11/2015 00:00

Një ditë pas rrëzimit të avionit rus në qiellin turko-sirian, Moska kërcënon sërish të ndërpresë furnizimin me gaz për Europën.

Paralajmërimi i “Gazprom”-it, pikërisht pas ngjarjes që rriti ndjeshëm tensionet mes Ankarasë dhe Rusisë, mund të jetë një koinçidencë, por nuk mund të përjashtohet mundësia e një loje të madhe, shënjestra e së cilës kalon nga Ukraina, deri në Lindjen e Mesme.

Që para disa javësh, kolosi rus i gazit paralajmëroi se qasja e Kievit ndaj gazsjellësit i kishte ditët e numëruara. Ky është një skenar, i cili vazhdon që prej 2006-s. Dhe, ashtu siç ndodh në Siri apo në luftën kundër ISIS, edhe këtu secila palë bën pjesën e saj të lojës.

Ukraina, në nevojë të madhe financiare është nën trysni të madhe në kufijtë e saj lindorë për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj “Gazprom”-it, dhe i kujton BE-së dhe SHBA-ve impenjimet e tyre ndaj saj. Moska, nga ana e vet, nuk heziton t’i kujtojë Europës se, nëse Ukraina nuk paguan detyrimet, do të rrezikojë të kalojë një dimër të ftohtë.

Varësia nga gazi i Moskës është një burim i përhershëm shqetësimi për BE-në, duke qenë se ai mbulon 50 për qind të nevojës për energji të kontinentit të vjetër.

Por këtë herë, mesazhi duket se nuk i drejtohet vetëm Europës. Edhe Turqia, e cila deri disa ditë më parë nënshkruante marrëveshje me Moskën për të çuar gazin rus drejt Perëndimit duke shmangur Ukrainën, duhet të rrisë nivelin e vigjilencës.

Nga brigjet ruse në Detin e Zi, ajo importon më shumë se gjysmën e nevojës së saj kombëtare. Moska ka treguar se di të shfrytëzojë më së miri armën e shantazhit energjetik.

Top Channel