Milano, vritet në aksion “skifteri”. Po grabiste një argjendari

25/11/2015 12:20

Një tentativë vjedhjeje ka përfunduar me vrasje në një zonë pranë Milanos, në veri të vendit. Rodolfo Colazzo, një tregtar bizhuterish, ka shtënë me armë zjarri kur tre persona i kanë hyrë në shtëpi dhe e kanë keqtrajtuar. Një plumb ka goditur për vdekje shtetasin shqiptar Valentin Frrokaj, 37-vjeçar, ndërsa dy keqbërësit e tjerë kanë arritur të largohen pa lënë gjurmë.

Mendohet se janë të armatosur dhe kërkimet vazhdojnë në zonat përrreth.

Valentin Frrokaj kërkohej nga forcat e rendit që më 7 maj të vitit të kaluar, kur qe arratisur nga burgu i Palermos, ku duhet të vuantë dënim të përjetshëm për vrasjen në vitin 2009 të Elton Llahos. Viktima 23-vjeçare, me plagë të rënda thike, ndërroi jetë pas dhjetë ditësh agonie.

Valentin Frrokaj ishte arratisur edhe një herë tjetër nga burgu i sigurisë së lartë i Parmës. Në atë kohë arratia e tij zgjati gjashtë muaj.

Pasi është marrë në pyetje, Rodolfo Colazzo ndodhet i shtruar në spital për shkak të plagëve të marra. Si avokati i familjes ashtu edhe përfaqësues të forcave të rendit përjashtojnë mundësinë e vrasjes me paramendim, por flasin për vetmbrojtje të ligjshme.

Top Channel