Itali, Meta takohet me homologen Boldrini: Intensifikim marrëdhëniesh

25/11/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka nisur një vizitë zyrtare në Itali, ku takimin e parë e zhvilloi me Presidenten e Dhomës së Deputetëve të Republikës italiane, znj. Laura Boldrini.

Gjatë bashkëbisedimit, Meta është shprehur se, “dy parlamentet tona duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin e tyre, si dhe kërkoi angazhimin e znj. Boldrini në përshpejtimin e procedurave të miratimit të ligjit, për heqjen e taksave të transportit për bizneset”.

Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Boldrini ka theksuar se Italia është e gatshme të ofroje ekspertizën e saj gjatë procesit të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, si një konfirmim i përkushtimit të qartë italian ndaj perspektivës europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Dolëm në konkluzionin se marrëdhëniet ndërmjet dy parlamenteve tona duhet të kenë një shtytje të re dhe u ndjeva mirë, që mora ftesën për të vizituar Tiranën dhe Parlamentin e Shqipërisë, gjë të cilën do ta bëj sapo të mundem. Jam e sigurt, që kemi ende shumë për të zhvilluar në aspektin e marrëdhënieve tona institucionale dhe parlamentare. Për këtë, pata kënaqësinë për të ofruar një bashkëpunim ndërmjet dy parlamenteve tona, me shpirtin për të bashkuar forcat, për të vënë në vijë një sistem bazuar në shkëmbimet reciproke, që mund t’u sjellë shumë të mira të dy parlamenteve”, tha Laura Boldrini.

“Do të dëshiroja të falënderoja Presidenten e Dhomës së Deputetëve të Republikës italiane, znj. Laura Boldrini për mbështetjen, që ajo personalisht dhe Dhoma e Deputetëve këtu i jep marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë, të cilat i konfirmuam edhe një herë si marrëdhënie strategjike dhe ku kemi shprehur vendosmërinë për t’i çuar ato më tej, duke përballuar të gjitha sfidat, me të cilat ndeshet Italia, ndeshet Europa dhe natyrisht edhe Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian”, tha kryeparlamentari Ilir Meta.

Gjatë takimit, Meta i kërkoi zonjës Boldrini një vëmendje më të madhe dhe mbështetje financiare për shkollat në gjuhën shqipetë komunitetit arbëresh.

Top Channel