PD, Basha: Drafti i dekriminalizimit, betejë e fituar me qytetarët

25/11/2015 13:45

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se “projektligji i dekriminalizimit është një hap i madh që krijon premisat ligjore për të kuruar këtë plagë të madhe të vendit tonë”.

“Nuk ka rrezik më të madh për një shoqëri sesa lartësimi i krimit. Prindërit investojnë shumë për fëmijët, por krimi në sistem e shumëzon me zero këtë investim. Ne nuk e ngritëm alarmin mbi hamendësime, por mbi fakte tronditëse”, e nisi fjalën e tij kreu i PD-së.

Basha shtoi se “projektligji i dekriminalizimit vendos filtrin për personat me rekorde kriminale”: “Me këtë ligj nis çlirimi i institucioneve dhe politikës nga prania e krimit. Kjo është një betejë e luftuar dhe fituar me qytetarët tanë, që na mbështetën pavarësisht bindjeve politike”.

Sipas kryetarit të opozitës, “individët me rekorde kriminale, gjatë qeverisjes Rama-Meta, u futën në Kuvend dhe u bënë deputetë, u bënë drejtorë dhe kryetarë bashkish. Opozita e pa veten përballë banditëve. Koha tregoi se alarmi ynë ishte i drejtë”.

“PD angazhohet të japë shembullin e vendosmërisë për dekriminalizimin me ligj të politikës shqiptare”, theksoi Basha.

Top Channel