Dekriminalizimi, PD dorëzon amendament për testin e drogës

25/11/2015 00:00

Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend dy amendamente për projektligjin e dekriminalizimit, që kanë të bëjnë me testin e drogës.

Amendamentet u dorëzuan një ditë përpara debatit në parim, që do të zhvillohet në Parlament për projektligjin e dakordësuar në komisionin e posaçëm parlamentar.

Të premten, palët ranë dakord për çdo pikë të projektligjit, përveç dy neneve që parashikonin kryerjen e testit të drogës nga funksionarët e lartë publikë dhe të zgjedhurit.

Partia Socialiste thotë se, ky është një nen qesharak, që nuk e kanë vendet europiane, por Partia Demokratike thotë se kjo ka të bëjë me pastërtinë dhe integritetin e zyrtarëve të lartë.

Në draftin që pritet të diskutohet në Kuvend të enjten, testi i drogës nuk figuron dhe, për këtë arsye, demokratët kanë dorëzuar amendamentet siç kanë qenë në draftin e tyre paraprak, duke synuar të fokusojnë debatin politik te refuzimi i mazhorancës.

Megjithëse palët janë përgatitur të debatojnë me tone të ashpra, nuk pritet që kjo të ndikojë negativisht te finalizimi i marrëveshjes. Ajo do të ndodhë së shpejti, kur Parlamenti të votojë në një seancë të vetme ligjin për dekriminalizimin dhe ndryshimet kushtetuese.

Një burim nga mazhoranca i tha Top Channel se, “jemi të habitur që PD bën amendamente, pasi jemi dakordësuar në komisionin e posaçëm. Mazhoranca, – thekson i njëjti burim, – i qëndron dokumentit të miratuar”.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel