Akuzat e PD, Policia e Vlorës fton mediat të filmojnë furgonin me drogë

25/11/2015 00:00

Dy orë pas akuzave të rënda të bëra nga demokrati Enkelejd Alibeaj, Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë ftoi reporterët lokalë të filmonin furgonin e bllokuar pak ditë më parë, së bashku me ngarkesën e drogës, për të hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike.

Nga pamjet filmike, furgoni duket që është i njëjtë me atë të bllokuar disa ditë më parë, edhe ky një aksion i policisë lokale dhe i filmuar nga gazetarët në Vlorë, ditën e bllokimit. Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë hodhi poshtë në këtë mënyrë të gjitha akuzat e bëra nga ana e PD-së.

Sipas policisë, furgoni me 808 kg lëndë narkotike, i sekuestruar në Radhimë më 10 nëntor, është i bllokuar në cilësinë e provës materiale.

“Ndryshe nga sa pretendohet në deklaratën e PD-së, theksojmë se furgoni, së bashku me lëndën narkotike, qëndron i bllokuar në cilësinë e provës materiale dhe ruhet 24 orë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe materialet për këtë ngjarje i janë referuar Prokurorisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel