Bombardimi i spitalit afgan, SHBA pranojnë gabimin

25/11/2015 19:00

Administrata amerikane ka pranuar se ka gabuar në bombardimin e një klinike të organizatës Mjekët pa Kufij në qytetin afgan të Kunduzit më herët gjatë vitit.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, një hetim i ushtrisë amerikane ka treguar se bombardimi i klinikës ka ardhur për shkak të një “gabimi njerëzor”.

Sipas burimeve mediatike, hetimi zbuloi se akuipazhi i avionit “AC-130” e ngatërroi klinikën me një godinë qeveritare që ndodhej aty pranë e që ishte marrë nën kontroll nga talebanët.

Të paktën 30 civilë mbetën të vrarë në sulmin e 3 tetorit, gjatë përpjekjeve për të rimarrë nën kontroll Kunduzin nga duart e talebanëve.

Organizata Mjekët pa Kufij e cilësoi sulmin si një “krim lufte” dhe kërkoi një hetim të gjerë. Grupi i bamirësisë i kundërshtoi që në fillim justifikimet fillestare të Shteteve të Bashkuara, që sugjeronin se forcat amerikane kishin qëlluar pranë klinikës për shkak se ishin ndodhur nën një breshëri zjarri në atë zonë.

Por më vonë ushtria amerikane pranoi se sulmi ishte një gabim dhe ndërmori një hetim. Këtë të mërkurë, komandanti i trupave amerikane në Afganistan, gjeneral John Campbell deklaroi se avioni e kishte ngatërruar klinikën me godinën e Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë, që ishte zaptuar nga guerrilasit talebanë.

Ai saktësoi se, avioni e kishte identifikuar godinën bazuar në përshkrimet vizuale të forcave afgane dhe se nuk kishte vepruar në bazë të koordinatave.

“Tragjikisht, operacioni vazhdoi pavarësisht këtij identifikimi të gabuar, edhe pse kishte tregues kontradiktorë. Ky ishte një gabim tragjik. Forcat amerikane nuk do të qëllonin kurrë qëllimisht një spital pse ndërtesa të tjera të mbrojtura”, tha Campbell.

Top Channel