Gjanica del nga shtrati, frikë nga përmbytjet në Fier

25/11/2015 19:35

Ende pa u rekuperuar dëmet e shkaktuara gati një muaj më parë nga dalja e lumit Gjanica në Fier, vjen një tjetër kërcënim.

Për shkak të reshjeve të shumta që kanë rënë në zonën e Mallakastrës, prej nga buron ky lum, niveli i tij është rritur ndjeshëm në lagjen “1 Maj” të Fierit.

Mësohet se uji ka hyrë në disa shtëpi e biznese, të cilat ndodhen dhe më afër shtratit të lumit, duke shkaktuar dhe dëme të shumta materiale.

Por ajo që e bën situatën më alarmante janë raportimet se niveli i Gjanicës vijon të rritet orë pas ore, kjo edhe për shkak të reshjeve që vijojnë të bien, gjë kjo që mund të sjellë dhe një situatë të ngjashme si ajo e një muaji më parë, ku qindra biznese e banesa u mbuluan nga uji.

Ndërkaq, që pas mbrëmjes së të martës është ngritur Shtabi i Emergjencave në Prefekturë dhe grupet e punës janë në terren për të minimizuar sado pak dëmet, si dhe për të evakuuar banorët në rast se situata vijon të përkeqësohet.

Pak ditë më parë ishte lumi i Tiranës që doli nga shtrati duke bërë që në një nga zonat e kryeqytetit të evakuohen 16 familje rome me 64 anëtarë në total. Gjithashtu, reshjet shkaktuan dëme të shumta në Durrës dhe përmbytje në Fushë Krujë.

Top Channel