Shteti Islamik merr përsipër atentatin në Tunizi; u vranë 13 gardistë

25/11/2015 21:35

Militantët e Shtetit Islamik kanë marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit ndaj autobusit në të cilën ndodheshin rojet e gardës presidenciale në Tunizi.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, grupi terrorist ka deklaruar se sulmi në të cilin humbën jetën 13 persona u krye përmes një atentatori vetëvrasës.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen Ministria e Brendshme tuniziane ka bërë të ditur se, shpërthimi u shkaktua nga një brez ose jelek i mbushur me rreth 10 kg eksploziv ushtarak.

Më herët Shteti Islamik ka marrë përsipër edhe dy atentate të profilit të lartë në Tunizi, që kanë goditur rëndë industrinë turistike të tij.

Sulmi i një dite më parë është dënuar në “termat më të fuqishëm” edhe nga Shtëpia e Bardhë. Ai ndodhi në një stacion autobusi, ku rojet presidenciale mblidhen për të marrë ose për të lënë turnin.

Stacioni ndodhet gjithashtu pranë selisë qendrore të partisë së presidentit të rrëzuar, Ben Ali.

Në reagimin e tyre, autoritetet tuniziane shpallën në shkallë vendi gjendjen e jashtëzakonshme dhe shtetërrethimin në kryeqytetin Tuniz. Gjithashtu, vendi ka mbyllur kufijtë e tij me Libinë për 15 ditë.

E dërguara e BBC në Tuniz, Rana Jaëad thotë se marrja përsipër e përgjegjësisë nga ISIS ishte e pritshme, por mënyra e sulmit sipas saj ngre pyetje të cilave autoritetet do ta kenë të vështirë t’u japin përgjigje.

Ende nuk është e qartë nëse atentatori kishte hipur në autobusin e rezervuar për rojet presidenciale, apo thjesht u afrua sa duhet duke shkaktuar impaktin e fuqishëm, thotë më tej korrespondentja.

Top Channel