“Fiks Fare”, sjellja skandaloze e Kempit Epror; rasti i Eliona Dulës

25/11/2015 00:00

Janë të shumta rastet e invalidëve, të cilët vetë ose përmes të afërmeve i drejtohen redaksisë së emisionit “Fiks Fare” për padrejtësitë që ju bëhen me vlerat që përfitojnë nga pensionet e invaliditetit.

Pas historisë së Eduart Lekës që jeton në Vorë, “Fiks Fare” ka trajtuar një tjetër rast, por kësaj radhe në Berat. Në vitin 2013në këtë qytet task-forca e ngritur për verifikimin e invalidëve gjeti në shkelje rreth 500 dosje. Por, ka edhe raste të invalidëve, të cilët pavarësisht se nuk kanë abuzuar  janë penalizuar me uljen e vlerave që përfitonin.

I tillë është edhe rasti i Eliona Dulës, invalide e grupit të parë, e sëmurë mendore . E ëma e vajzës së sëmurë, Selvie Pasho, kërkoi rritjen e pagesës për invaliditet , por jo vetëm që nuk u bë e mundur rritja e shumës që vajza përfitonte, por kjo shumë u zvogëlua duke hequr kujdestarinë e zonjës për vajzën e sëmurë.

Selvie Pasho, nëna e invalides: Jam e divorcuar që në moshën 28-vjeçare. Kam rritur tre fëmijë vet. Kam gocën e vogël që vuan nga sëmundja “prapambetje mendore”. Prej 29 vitesh vajza vuan. Unë kërkova më shumë. 20 mijë lekë (të reja) që unë marr me vajzën nuk më del. Mua nuk më vlerësuan për grupin e parë, por mua më hoqën edhe atë që merrja, kujdestarinë. Tani vajza merr 10 mijë lekë (të reja), ndërsa unë marr pagesën për kujdestarinë. Unë tani jetoj me 100 mijë lekë (të vjetra) të vajzës. Çfarë duhet të paguaj më përpara me lekët e vajzës? Unë kam drita, ujin, televizionin pa të cilin vajza nuk rri dot, sepse po nuk shikoi filmat vizatimorë ajo përplas të gjitha gjërat në shtëpi. Ju lutemi, ju lutemi, shikoni këtë punë mirë se unë me vajzën po vuaj.

Selvie Pasho nuk është personi i vetëm që vërteton se vajza e saj është e sëmure mendore. Edhe mjeku Adrian Jançe i cili e ka ndjekur pacienten pohon të njëjtën gjë.

Ardian Jançe, mjek neurolog, Berat: Eliona Dule është e sëmurë me “probleme mendore” e një shkalle të caktuar. Janë paraqitur këtu për plotësim dokumentacioni, kryesisht për KEMP, është vlerësuar me këtë lloj patologjie dhe ka përfituar shërbimet sipas legjislacioneve në fuqi. 

Mirela Buhuri, DRSHSSH, Berat: Eliona është komisionuar në Komisionin e Beratit në vitin 2014 ku është marrë një vendim. Grupi i parë: Eliona ka përfituar pagesën e plotë plus kujdestarinë. Pastaj, ka qenë mamaja e Elionës e cila ka kërkuar pranë Kemp-it Epror për të fituar statusin e paraplegjikut për vajzën, pra paketën higjieno-sanitare sepse ajo mendon se ka nevojë për të. Ne si drejtori rajonale e kemi vlerësuar kërkesën e saj dhe kemi nisur kërkesën drejt Kempit Epror.
Fiksi: Çfarë ndodhi me rastin në fjalë pas paraqitjes në Kempin Epror në Tiranë?
Mirela Buhuri: Prej andej dosja e Elionës vjen me vendimin nr. 866, datë 18 mars 2015, grupi i dytë, pra përfiton vetëm KEMP-in e plotë, pa kujdestari. Pra, jo që nuk fitoi paketën higjieno-sanitare, por nga kaloi nga grupi i parë në të dytin/. Aktualisht, nëna e Elionës ka bërë sërish një kërkesë pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social drejtuar KEMP-it Epror që vajza të komisionohet përsëri dhe të përfitojë grupin e parë të cilën ajo e ka pasur pothuajse që nga momentin kur ka lindur vajzën.

“Fiks Fare”, për ta ndjekur deri në fund rastin e Elionës, kërkoi një prononcim të KEMP-it rajonal të cilët më përpara e kishin komisionuar pacientën. Mjeku Vladimir Kumaroku nuk pranoi të prononcohej, por në një bashkëbisedim me të dha këtë sqarim.

Bisedë në ambientin e Kempit Rajonal, Berat

Mjeku: Zonja ka të drejtë, se e ka të sëmurë vajzën, por vendimmarrja e këtij komisioni shkon në harmoni me vendimmarrjen e Komisionit Epror në Tiranë. Para një viti, zonja ka qenë atje dhe i është hequr kujdestaria dhe unë ia kam lënë në dashamirësi. Të kalojë një vit sepse automatikisht vendimi i komisionit qendror ose Kempit Epror e ka shtrirjen e veprimit më shumë se sa kjo kohë. Vitin tjetër, na lind hapësira që ne ty të të rikthejmë aty ku ishe. Këtu është dashamirësia jonë.

Fiksi: Mendoni se do ta marrë tani, që do të dali prapë (në komisionin e Kempit Epror)?

Mjeku: Është shumë e vështirë… Unë do të thosha që ti, po e ke si njeriun tënd duhet ta ndihmosh në këtë formë që të presë edhe vitin tjetër e mbarojmë ne, se ata e kanë marrë një vendim dhe brenda vitit nuk ta korrigjojnë këtë vendim.

Top Channel