Hollande takohet me Merkelin: ISIS s’mundet me fjalë por ushtarakisht

25/11/2015 22:25

Presidenti francez, Francois Hollande vazhdon përpjekjet për të formuar një aleancë sa më funksionale kundër terrorizmit dhe apeli i tij i radhës ka qenë ndaj Gjermanisë.

“Mendoj se Gjermania mund të angazhohet më shumë kundër Shtetit Islamik”, ka deklaruar Hollande pasi ka pritur në një takim në Paris kancelaren gjermane Angela Merkel.

Asnjë vend nuk është i sigurt nga sulmet e ISIS. Pas sulmeve të Parisit duhet të shmangim krijimin e një situate të papërmbajtshme, që është kombinimi mpleksja mes refugjatëve dhe terroristëve”, ka thënë Hollande.

Shefi i pallatit Elize ka nënvizuar se tashmë është vërtetuar sesi disa terroristë kanë përdorur shtigjet e refugjatëve për të hyrë në Evropë, “ndaj është detyra jonë të kontrollojmë këdo që vjen”, ka vijuar ai.

Dhe në këtë drejtim, përgjigjia e kancelares nuk ka vonuar të vijë. Ajo i ka premtuar Francës dërgimin në Mali të 650 ushtarëve gjermanë.

“Edhe Gjermania është e tronditur nga sulmet e Parisit dhe e gatshme të bëjë gjithçka është e mundur që tragjedi të tilla të mos përsëriten”, ka thënë Merkel. Kancelarja ka theksuar gjithashtu se, Shteti Islamik nuk luftohet vetëm me fjalë, por edhe me mjete ushtarake.

“Gjithashtu është e nevojshme të gjendet një zgjidhje politike në Siri, që kërkon angazhimin e të gjithëve sepse të gjitha palët e përfshira mund të ulen në tryezën e bisedimeve. Në këtë drejtim, procesi i nisur në Vjenë vazhdon”, ka deklaruar Merkel.

Merkel, e cila kishte veshur një xhaketë të zezë në shenjë zie, është shprehur se, “Gjermania merr pjesë në dhimbjen e Francës për jetët e humbura në atentatet e 13 nëntorit”, të cilat i ka cilësuar “një sulm kundër stilit evropian të jetesës, demokracisë dhe Europës”.

Në ditët e fundit Hollande u takua me presidentin amerikan Barack Obama dhe kryeministrin britanik David Cameron, por përveç fjalëve të bukura, në plan të parë u duk se nuk u arrit ndonjë gjë konkrete.

Top Channel