Meta pritet në Itali nga presidenti i Senatit

26/11/2015 12:00

Kryeparlamentari Ilir Meta u prit në Romë nga Presidenti i Senatit të Italisë Pietro Grasso, me të cilin diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve ndërparlamentare dhe zhvillimeve në rajon. Meta dhe Grasso theksuan se projekti TAP do të rrisë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe rajonit të Pulias dhe se ky projekt është me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike.

Grasso nënvizoi se raportet e ngushta italo-shqiptare po vijnë duke u forcuar në të gjitha fushat, por mundësitë për të rritur cilësisht këtë bashkëpunim janë të mëdha, veçanërisht në ekonomi: “Vlerësoj peshën dhe rolin e Shqipërisë në Ballkan dhe ne jemi gjithnjë të gatshëm t’ju ndihmojmë të avanconi edhe më shpejt në rrugën tuaj evropiane, sepse besojmë se me reformat e duhura i gjithë Ballkani e ka vendin e tij të sigurt në Bashkimin Evropian. Jam vërtetë i lumtur që i ritheksova Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ndjenjat e miqësisë dhe solidaritetit italian dhe të dy parlamenteve tona, që të mund të bashkëpunojnë shumë më mirë dhe të ndërtojmë atë të ardhme miqësore dhe solidariteti që dëshirojmë të gjithë”.

Ndërsa kryeparlamentari Meta tha: “Me Presidentin Grasso kemi konfirmuar edhe një herë vullnetin e vendosur për të ecur drejt konkretizimit të mëtejshëm të partneriteti strategjik midis Italisë dhe Shqipërisë. Dhe në këtë drejtim Senati Italian, nën drejtimin e presidentit Grasso, luan një rol të rëndësishëm dhe ne besojmë shumë që këto shkëmbime ndërparlamentare do të kontribuojnë për forcimin e raporteve të shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe dy popujve tanë”.

Më herët, Meta u prit në Romë nga edhe nga Kryetari i Komisionit të Politikave të Bashkimit Europian në Senatin Italian, z. Vannino Chiti.

Top Channel