Tahiri: Të kthejmë rrogën mbrapsht nëse nuk miratojmë reformën në drejtësi

26/11/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në fjalën e tij në Kuvend nënvizoi se opozita nuk duhet të mburret me ligjin e dekriminalizimit në një kohë që shqiptarët ende vuajnë padrejtësinë, por duhet punuar bashkarisht për miratimin e reformës në drejtësi.

“Ulni gishtin e akuzës dhe kokën në shenjë respekti për hallet e qytetarëve. Nuk ka vend sot për dekorata dhe për mburravecë podiumesh. Kjo seancë duhet të na bëjë të gjithëve me turp. Duhet të zgjidhim hallin e madh të qytetarëve, që janë njerëzit që i kanë shpëtuar drejtësisë. Kësaj nuk i kemi dhënë zgjidhje. Nuk ka vend për t’u mburrur. Po dënojmë ata që janë dënuar, por çfarë do bëjmë me ata që nuk janë dënuar ende? Po i themi shqiptarëve se nuk do të keni më në Parlament njerëz të dënuar, por do të vazhdoni t’i keni në pallat, do vazhdoni t’i keni biznesmenë. Do i shikoni kudo. Po i heqim nga Parlamenti, por po jua lëmë juve në derë. Për këtë po mburremi? Sot po i themi shqiptarëve se, edhe pse nuk po marrin pronat, të rrinë të qetë se nuk do të votojnë më njerëz të dënuar, edhe pse ai që të ka vjedhur është i lirë. Për këtë po mburremi? Shqiptarët duan drejtësi, duan që vrasësi dhe hajduti të dënohet; të ndihen me pushtetin e drejtësisë; për reformën në drejtësi. Para se të rrihni gjoksin, heshtni sepse shqiptarët vuajnë ende padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë. Ne kemi vetëm një mision: t’ i kthejmë rrogën qytetarëve mbrapsht nëse nuk miratojmë reformën në drejtësi” tha Tahiri.

Top Channel