Berisha: Krimi është institucioni suprem i qeverisjes së Edi Ramës

26/11/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se Shqipërisë nuk i duhet dekriminalizimi i politikës, por “de-edvinizimi” i administratës.

“Nuk ka shqiptar që nuk i dinte lidhjet e tij me bandën e Aldo Bares, me bandën e Dritan Dajtit, nuk ka shqiptar që nuk e dinte lidhjen e tij dhe dominimin e tij nga banda të tjera, por megjithatë e thashë atëherë këtu para jush se shqiptarët me votën e tyre e amnistuan. Ata i dinin këto, po thanë do e provojmë”, tha Berisha.

“Krimi është institucioni suprem i qeverisjes së Edi Ramës. 80% e deputetëve nuk e hapin gojën, pasi kriminelët në sallë i kërcënojnë dhe i tmerrojnë”, shtoi Berisha, i cili më pas foli për ligjin e dekriminalizimit, të cilin e konsideroi vetëm si një hap të parë.

“Ligji i dekriminalizimit është arritje, por përbën vetëm një hap të parë. Le të besojmë se çdo gjë e madhe fillon me një hap të parë. Shpreh mirënjohje për të gjithë ata që e mbështetën këtë ligj. Mirënjohje për lidershipin e PD-së dhe partnerët ndërkombëtarë. E përsëris se është hapi i parë dhe se asgjë nuk kërcënon të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj, sesa sundimi i krimit. Shqiptarët nuk pajtohen me krimin. Çdo njeri që i shet votën krimit, shet të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij. Krimi në dy vite ka marrë me qindra jetë. Ka shkelur dhe dhunuar të drejtat e njeriut, por shkatërroi edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Berisha.

Top Channel