Negociatat me Turqinë, BE-ja u jep një impuls të ri përpjekjeve

26/11/2015 00:00

Bashkimi Europian do t’i japë muajin e ardhshëm një impuls të ri përpjekjeve të Turqisë për anëtarësim në bllokun 28 anëtarësh.

Ministri turk i Çështjeve Europiane, Volkan Bozkir sqaroi se, BE-ja ka rënë dakord për çeljen e bisedimeve mbi politikat ekonomike të vendit. Negociatat e aderimit janë prej kohësh në vendnumëro, për shkak të mosmarrëveshjeve të hershme të Ankarasë me Qipron, anëtare të bllokut, si dhe shqetësimet e Bashkimit Europian mbi të drejtat e njeriut në këtë vend.

Këto janë dy arsyet kryesore, përse bisedimet mes palëve kanë pasur një ritëm tmerrësisht të ngadaltë, por Brukseli tani duket se po kërkon të inkurajojë Ankaranë në frenimin e fluksit të emigrantëve drejt Europës, duke i ofruar një perspektive më të qartë anëtarësimi.

Megjithatë, ideja e një Turqie pjesë të Bashkimit Europian vazhdon të mbetet burim polemikash. Shumë politikanë në Europë, përfshirë këtu vet Kancelaren gjermane, Angela Merkel, nuk e shohin me entuziazëm një zhvillim të tillë.

Kritikët e mbështesin fushatën e tyre tek argumenti se, një vend kaq i madh mysliman, plot rajone rurale të mbytura nga varfëria, do të arrijë të ndryshojë karakterin e Bashkimit Europian. Negociatat e Turqisë me BE-në nisën në 2005-n, por deri më tani janë hapur 13 kapituj dhe vetëm njëri prej tyre, ai i shkencës dhe kërkimit, është mbyllur përkohësisht.

Top Channel