Belgjikë, reduktohet niveli i alarmit për sulme në Bruksel

26/11/2015 00:00

Belgjika ka ulur nivelin e alarmit nga kërcënimet terroriste në Bruksel, pas afro një jave në gjendje maksimale, pas sulmeve të marra përsipër nga Shteti Islamik në Paris. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia kombëtare e lajmeve, “Belga”, edhe pse nuk është konfirmuar menjëherë nga një zëdhënës qeveritar.

Reduktimi është bërë në nivelin 3, që nënkupton një kërcënim serioz, të mundshëm dhe të besueshëm; mha niveli 4 që ishte, që nënkuptonte një kërcënim tepër serioz dhe të pashmangshëm. Tashmë kryeqyteti belg vihet në të njëjtën linjë kërcënimi me pjesën tjetër të vendit.

As Qendra kombëtare e Emergjencave, që rishikoi vlerësimin e nivelit të kërcënimit sipas medias “Belga”, nuk ka qenë e disponueshme për të dhënë komente konfirmuese apo mohuese të këtij lajmi.

Belgjika e rriti nivelin e sigurisë në nivelin 3, menjëherë pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris, dhe vetëm një javë më vonë dha alarmin maksimal për Brukselin, teksa policia ishte vënë në ndjekje të një të dyshuari si të përfshirë në sulmet e Francës, ndërkohë që edhe bashkëpunëtorë të qeverisë thanë se sulme të ngjashme mund të ishin planifikuar edhe në kryeqytetin belg.

I dyshuari Abdeslam Salah mbetet ende në arrati. Policia belge ka zhvilluar një sërë bastisjesh dhe kërkimesh përgjatë dy javëve të kaluara në Belgjikë, më e fundit këtë të enjte, si dhe ka ngarkuar 5 persona me akuzat e terrorizmit lidhur me sulmet e Parisit.

Top Channel