Ajeti te Frosinone: Nuk mund ta refuzoja Serinë A

26/11/2015 00:00

Frosinone bën prezantimin e blerjes më të re të saj, Arlind Ajetit, shërbimin e të cilit e siguroi duke e blerë mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare nga Bazeli.

Në konferencën për shtyp të mbajtur për prezantimin e tij, Ajeti deklaroi se kishte ardhur koha që ai të largohej nga Bazeli dhe se e kishte të pamundur të linte t’i ikte shansi nga duart për të luajtur në Itali.

“E njoh pak a shumë skuadrën dhe kampionatin italian dhe është një kompeticion shumë i vështirë. Mendoj se fizikisht jam gati të luaj menjëherë, ndoshta që të dielën, por do të jetë trajneri ai që do të vendosë. U largova nga Bazeli sepse nuk ndihesha më si në fillim. Nuk e kisha besimin e ish-trajnerit. Kishte ardhur koha që të ndryshoja ambient dhe të provoja një eksperiencë të re. Zgjodha Frosinonen se është një klub i mirë që më dha mundësinë të luaj në Serinë A dhe unë nuk mund ta refuzoja. Do të përpiqem të përshtatem sa më shpejt me futbollin italian”, deklaroi mbrojtësi.

Më pas Ajeti zbuloi se një ndikim në vendimin e tij për të pranuar ofertën e Frosinones e kishte edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi që e këshilloi atë të shkonte në Serinë A.

“De Biasi është një trajner shumë i mirë dhe më këshilloi të vij në Itali. Në dhomat e zhveshjes së Kombëtares flitet shumë italisht dhe unë do ta mësoj këtë gjuhë nga trajneri. De Biasi beson shumë te unë dhe më ka dhënë shumë mundësi. Unë do të kërkoj që t’ia shpërblej në mënyrën sa më të mirë të mundshme duke u përpjekur që të mos lejoj skuadrën të pësojë gola”, tha Arlind Ajeti.

Top Channel