Vlora e ëndrrave, kur lulet e ngjyrat pushtojnë qytetin

26/11/2015 00:00

Këto ditë, qyteti bregdetar i Vlorës nuk ka qetësi. Artistë italianë dhe shqiptarë po bëhen gati për një aktivitet të rëndësishëm, me rastin e festave të nëntorit. Ata kanë ndërmend të bëjnë punime grafiti në disa prej pallateve, pamja e të cilave është vjetëruar me kalimin e kohës.

Eventi, i quajtur “Vlorë International Street Art”, ka për qëllim transformimin e rrugëve të një prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, në një galeri arti bashkëkohor.

Përveç artistëve shqiptarë nuk mund të mungonin artistë me famë ndërkombëtare, të njohur më parë për punime të tilla. Ata do t’u japin ngjyra mureve të qytetit të Pavarësisë, duke transmetuar përmes artit, një mesazh vëllazërie, gëzimi dhe shprese për të ardhmen.

Miqtë italianë nga Lecce, Francesco Ferreri, Davide Casavola, Ania Kitlas, të njohur për veprat e tyre në Itali dhe në Europë; si dhe Francesko Dinaj, artist shqiptar me origjinë nga Vlora, po bëhen gati të hapin edicionin e parë të “Vlorë International Street Art”, që do të vazhdojë deri në qershor të 2016-s.

Puna tashmë ka nisur, por deri në fund të projektit, pamja e Vlorës do të ndryshojë plotësisht. Edhe pse shiu i ditëve të fundit nuk i ka ndihmuar, puna ka vazhduar për të qenë çdo gjë gati më 28 nëntor.

Një qytet që jeton intensivisht, i rrethuar nga deti i thellë dhe male të larta, është shumë i përshtatshëm – sipas artistëve, – për këtë lloj arti. Punët, ata do ia dhurojnë Vlorës dhe çdo personi, i cili ndodhet aty gjatë punimeve, me shpresën që t’i japin qytetit ndjesi pozitive nëpërmjet artit dhe ngjyrave.

Top Channel